Një vjedhje spektakolare si nëpër filma ka ndodhur në Fier në një pikë këmbimi valutor. Ngjarja ndodhi 20 dite më parë, por policia e Fierit as nuk e ka raportuar ngjarjen as nuk ka kapur autorët. Burime për Abcnews thanë se ngjarja ndodhi në lagjen ”15 Tetori” në një subjekt që ushtron aktivitet këmbimi valutor në datën 11 shkurt. Një shtetas azerbajxhanas rreth te 50-ve ka marrë nëpërmjet mashtrimit 50 mijë euro dhe është larguar qetësisht.
Si ndodhi ngjarja
Një javë përpara vjedhjes së 50 mijë eurove, një shtetas i huaj që sipas pronarit të këmbimit valutor kishte theks rus, së bashku me dy persona të tjerë ka shkuar një jave rradhazi në këtë pikë këmbimi duke këmbyer valutë të huaj me euro. Me veshje dhe aksesorë të një biznesmeni, shtetasi i paidentifikuar është treguar i sjellshëm dhe korrekt përgjatë kontakteve me pronarin e këmbimit valutor.
Në mirëbesim pronari i tregoi policisë se e lejonte të hynte brenda banakut kur bënte transaksionet me azerbajxhanasin. Transaksionet shkonin deri në 1000 euro në ditë. Kjo situatë zgjati një javë deri në datën 11 shkurt kur personi i paidentifikuar ka shkuar sërish në këtë pike këmbimi duke i kërkuar pronarit 50 mijë euro. Pasi ka numëruar 50 mijë eurot i ka futur në valixhe dhe e ka lënë sipër banakut. Nuk është ende e qartë se si ka ndodhur, por pronari pretendon se shtetasi i huaj ka ndërruar valixhen në një moment kur ai (pronari) ka kontrolluar në pjesën e pasme të dyqanit pasi kishte dëgjuar zhurma.
Valixhja me euro e mbyllur me kod sigurie qëndroi në banak edhe kur shtetasi i huaj tha se po shkonte në bankën aty pranë për të marrë sasinë e parave me të cilën po blinte eurot.
Kaluan 15 minuta kur pronari nisi të dyshojë. Ai ka hapur valixhen me force dhe ka parë se brenda saj nuk ishin paratë. Menjëherë ka dalë në rrugë për të kërkuar hajdutin, por ky i fundit ishte larguar. Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë rezultoi se hajduti ishte larguar në drejtim të qendrës se Fierit.
Policia
Me pas pronari ka njoftuar policinë e cila nisi hetimet për gjetjen e autorit. Nga hetimet paraprake rezulton se personi në foto është me shtetësi azerbajxhanase. Policia shpërndau në pikat e kalimit kufitar foton e të kërkuarit të marrë nga kamerat e sigurisë, por kaluan më shumë se dy javë dhe ende nuk ka gjetur gjurme te tij. Mendohet se ky shtetas ka kaluar kufirin bashkë me dy personat e tjerë. Policia nuk e ka bërë publike ngjarjen me pretendimin se kjo do të bënte që hajdutet t’i fshihen autoriteteve por me sa duket ata janë larguar jashtë shtetit pa asnjë pengesë.