Kryesore Meta-deputetëve: Pavarësisht urdhrave partiakë, reflektoni për hir të fëmijëve

Meta-deputetëve: Pavarësisht urdhrave partiakë, reflektoni për hir të fëmijëve

Një ditë pasi firmosi në bulevard dekretin që kthente në Parlament ligjin e betimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta ka publikuar këtë të martë arsyetimin ligjor për këtë vendim.

“Betimi përpara Kreut të Shtetit, është një garanci më shumë për njohje të parimit të sovranitetit kombëtar dhe lirive e të drejtave themelore të popullit. Për rrjedhojë, edhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese, që do të shërbejë në ushtrimin e funksionit të tij si garant i kushtetutës, legjitimitetin që i rrjedh nga kushtetuta, dhe vullnetin për ta ushtruar atë nuk mundet ta deklarojë dhe ta garantojë askund tjetër veçse para Kreut të Shtetit personalisht”, thuhet në arsyetimin e Metës.

Presidenti i bën thirrje deputetëve që ta rishikojnë ligjin e kthyer prej tij. “Ky akt kërkon pikërisht rikthimin e paqes sociale, respektimin e shtetit të së drejtës, kufizimin e ekspansionit të pushtetit të mazhorancës politike në kuvend e gjetiu, respektimin e kufijve të kompetencës kushtetuese, lojalitetin kushtetues, e në këtë mënyrë, mbrojtjen e interesit më të lartë të popullit shqiptar”, shkruhet në arsyetim.

“Ndaj kam besimin se pavarësisht urdhrave partiakë, apo dëshirës për të mos prishur rehatinë e mandatit të deputetit, ky dekret, arsyet që e shoqërojnë atë, dhe mbështetja popullore që mori nënshkrimi i këtij akti nga populli sot, do ju bëjë të reflektoni! Do t`ju bëjë të reflektoni mbi nevojën për të mbrojtur në emër të popullit tonë, në emër e për hir të fëmijëve tuaj – fëmijëve tanë: Kushtetutën, shtetin e së drejtës, demokratik e social, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; dhe me bindjen e thellë tek drejtësia, siç e kërkon kushtetuta e vendit tonë që duhet të udhëheqë ushtrimin e funksionit për secilin nga ne, do të reagoni duke mos lejuar cenimin e integritetit të Gjykatës Kushtetuese”.