Pep Guardiola e konsideron të mbyllur garën e titullit në Angli. Trajneri katalanas i Manchester City iu përulet “Reds”, duke i kurorëzuar ata si kampionët e rinj të Premier League. Natyrisht, për këtë mbetet vetëm zyrtarizimi, edhe matematikisht. Diferenca aktuale prej 22 pikësh, gjithsesi, është e parikuperueshme për “qytetarët” e vendit të dytë.
Mundësitë për titull në Premier League – “Kampionati ka mbaruar dhe Liverpool e meriton titullin. Pas kaq shumë ndeshjeve, nëse avantazhi është ai që është, kjo ndodh sepse të kuqtë e meritojnë titullin. Do të doja të isha më afër Liverpool-it në klasifikim, por ky është realiteti. Tani na duhet të vijojmë me ritmin më të mirë të mundshëm, kemi ende shanse për trofe në “FA Cup” dhe Ligën e Kampionëve”.
Më shumë tituj – “Në të gjitha klubet e mëdha, ku kam qenë, kur fitoni një titull, ju bëni një dush dhe mendoni për një tjetër. Fitimi i tri “Carabao Cup” ka qenë diçka shumë e bukur, por nesër kemi një ndeshje tjetër, në një kompeticion tjetër. “FA Cup” është shumë e rëndësishme për anglezët dhe ne duhet të përqëndrohemi në të. Titulli më i rëndësishëm i Manchester City ishte ai i trajnerit Mancini në Premier League, sepse ndryshoi mentalitetin e klubit. Ai ishte më i vështiri. Gjithë të tjerët pas tij, që kanë ardhur më vonë këtu, kanë vazhduar në atë rrugë”.