Bota Beteja në kufirin Turqi-Greqi, policia dhe refugjatët përleshen me gurë dhe gaz...

Beteja në kufirin Turqi-Greqi, policia dhe refugjatët përleshen me gurë dhe gaz lotsjellës

Zjarri, tymi dhe gazi lotsjellës kanë dominuar vijën kufitare mes Greqisë dhe Turqisë të mërkurën paradite, pasi forcat greke janë përpjekur të zmbrapsin refugjatët që duan të futen në Europë, pasi Turqia vendosi të hapë portat.

Emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika i vunë flakën gardheve rrethuese ndërsa forcat speciale greke nxituan të ruanin kufirin. Vetëm ditën e kaluar, autoritetet helene thanë se kishin ndaluar kalimin e 24 mijë personave.

Bashkimi Europian vendosi të ndihmojë Greqinë me një fond prej 700 milionë eurosh për të përballuar krizën, që është përshkallëzuar pas disa kërcënimeve nga ana e Presidentit turk, Erdogan, për hapje të kufijve.

Të mërkurën një refugjat u plagos në këmbë, ndërsa të tjerët goditën me gurë efektivët e policisë, që u përgjigjën me gaz lotsjellës. Në anën turke të kufirit u afruan disa ambulanca për të ndihmuar emigrantët e lënduar. Greqia e ka quajtur situatën kërcënim të sigurisë kombëtare, ndërsa Turqia thotë se ndihet e tradhtuar nga NATO, që nuk po reagon pas asaj që po ndodh në Siri, ku sulmet e forcave qeveritare për të rifituar Idlibin po krijojnë një valë të re refugjatësh lufte.