Janë planifikuar të luhen fundin e këtij muaji, megjithatë dy miqësoret ndaj San Marinos dhe Sllovenisë mbeten në dyshim, sa i takon vendit të zhvillimit, Italisë. Kjo, për shkak të koronavirusit, që ka vënë në karantinë krejt futbollin italian, edhe Serie A. Deri më 3 prill, në fqinjin tonë të përtej Adriatikut nuk do të luhen ndeshje futbolli me tifozë. Nëse edhe miqësoret në fjalë do t’i nënshtrohen një “karantine” të tillë, atëherë në rregull. Së fundi u hodh edhe shorti i Ligës së Kombeve, ku Shqipëria ra në grupin 4 të Ligës C me Lituaninë, Kazakistanin dhe Bjellorusinë.
Koronavirusi
Edy Reja, prej koronavirusit nuk ishte dot në hedhjen e shortit, në Amsterdam. Ai ka dhënë një intervistë për “RTSH Sport”, ku ka zbuluar edhe planet që ka për dy miqësoret e fundit të marsit. Ndër të tjera, trajneri Italian i kuqezinjve nënvizoi: “U zhgënjeva që nuk isha i pranishëm në hedhjen e shortit, por këtu ku jetoj unë, disa kompani ajrore i kanë bllokuar fluturimet. Do të kisha pasur shumë dëshirë të isha i pranishëm në Hollandë. Kam qenë në kontakt me presidentin Duka. Duhet të jemi në formë optimale në muajin shtator, kur të nisim edhe t’i luajmë ndeshjet e Ligës së Kombeve”.
“Lojtarët e rinj”
Duhet ta nisim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mos lëmë pas dore asnjë detaj. Janë që të gjitha transferta të vështira. Duhet theksuar se, përveç faktit që janë shumë larg, në dy prej tyre do të luajmë në fusha me bar sintetik. Duhet të jemi shumë të përgatitur, por mund të them që nuk është një short i keq, sepse flasim për rivalë që mund t’i përballojmë. Gjithsesi, më lejoni të theksoj se ndeshjet duhen luajtur në fushë e jo me fjalë e parashikime. Dy miqësoret e fundit të marsit? Do të provoj disa lojtarë të rinj. Do të jenë të pranishëm edhe Broja e Kamberi. I kam ndjekur shumë të dy gjatë kohëve të fundit.
Dua të provoj lojtarë të rinj, sidomos të datëlindjes 1999-2000, por më duhet të pres edhe disa ndeshje, përpara se t’i grumbulloj. Kumbulla po zhvillon një kampionat shumë të rëndësishëm, por ka ende mundësi përmirësimi. E kam ndjekur edhe gjatë seancave stërvitore të Verona. Di që Kumbulla, ashtu si Rrahmani, ishte shumë pranë Napolit, por ai dëshiron të qëndrojë te Verona deri në fund të sezonit dhe më pas të studiojë të gjitha ofertat që do t’i vijnë. Me kombëtaren do të marrë minuta të plota në një prej ndeshjeve miqësore, por nuk mund të them ndaj Sllovenisë apo San Marinos”.