Kryesore Berisha ka një mesazh për Bashën: Uroj që ta lexosh mirë mesazhin...

Berisha ka një mesazh për Bashën: Uroj që ta lexosh mirë mesazhin e mitingut të 2 marsit

Ish-Kryeministri Sali Berisha në një intervistë për Euroneës Albania ka deklaruar se, reforma në sistemin e drejtësisë po rezulton një dështim i plotë. Berisha u shpreh se, të gjithë drejtuesit e institucioneve të reja janë zgjedhur në mënyrë të paligjshme.

“Reforma në drejtësi ka rezultuar një dështim i plotë. Institucionet i kanë krerët në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta thotë se SPAK ngrihet jo më pak se 10 prokurorë. Kryetari i KLP duhet ë jetë magjistrat dhe kreu i KED duhet të jetë magjistrat. Asnjëri nuk është. Dvorani ka fshehur 100 milionë dhe është mbajtur ndërsa të tjerët kanë ikur nga vetingut me 15 milionë të pa justifikuara”, deklaroi ish-kryeministri.

Ai tha se, autoriteti i SPAK është kompromentuar me dy veprimet e para, që ishin transferimi i dosjes së zgjedhjeve në Dibër si dhe heqja e dosjes së Bajrave duke mos i cilësuar bandë.

“Një nga aktet më të turpshme që po e dënon Shqipërinë ishte se SPAK mori dosjen e grabitjes së zgjedhjeve dhe e transferoi në Dibër. SPAK hoqi dosjet e Bajrave duke thënë se nuk janë bandë, kjo është përrallë me mbret. Gjithnjë e më keq do të funksionojnë, dhe faturën e paguajnë shqiptarët”, deklaroi ish-kryeministri.

Berisha akuzoi se, ka korrupsion në procesin e vetingut duke thënë se paguhen deri në 300 mijë euro për të kaluar procesin. Nga ana tjetër, ish-kryeministri cilësoi legjitime pretendimet e Presidentit, duke thënë se, mazhoranca po tenton t’i marrë një anëtar për Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të kontrollojë 4 prej tyre.

Berisha deklaroi se opozita ka pasur zero rol në procesin e reformës së drejtësisë, pasi e braktisi procesin pasi kryeministri Rama prishi marrëveshjen.

“Pati një marrëveshje mes PD dhe dy ambasadorëve që do të votohet me konsensus Kushtetuta dhe ligjet organike. Edi Rama prishi konsensusin dhe miratoi ligjet. Opozita ka kësaj ka pasur zero rol në reformën e drejtësisë”, tha ish-kryeministri.

Duke folur për marrëdhëniet e tij me Metën, Berisha u shpreh se, sot “ai është President i vendit dhe kjo është e gjitha që më lidh mua”, dhe nga ana tjetër shtoi se “është i vetmi institucion legjitim në Shqipëri”.

Pyetjes së gazetares, Ilva Tare nëse paraqitet e qetë situata në PD, Berisha iu përgjigj duke e riformuluar fjalinë, me një mesazh të qartë për Basha.

“Tani… të gjithë këto zhvillimet sigurisht që opozita dhe PD…Tani, mendimi im është se, mitingun e 2 marsit, uroj dhe shpresoj që ta lexojë mirë opozita. Se ai çfarë tregon? Ai tregoi një revoltë të madhe ndaj narkoshtetit dhe Edi Ramës. Pra, qytetarët e thjeshtë janë të gatshëm t’i përvishen. Uroj që opozita këtë mesazh mbarë popullor që dëshmuan gjysmë milionë shqiptarë në atë protestë, ta lexojë dhe t’i përgjigjet me një frymë, me veprime të ardhshme”, theksoi gjatë intervistës lideri historik i PD.

I pyetur se cili ishte roli i PD në këtë tubim të thirrur nga Presidenti, ish-kryeministri ia njohu të gjithë meritën Metës. Ndërsa lidhur me faktin se nuk ishte në krah të Bashës, Berisha tha se, preferon të qëndrojë në qoshe për shkak të rrezikut të shtypjes nga turma.