“Ajo çka duhet të kuptoni rreth John Belushit”, më thotë regjisori Ivan Reitman, “është talenti i tij i jashtëzakonshëm. Kam njohur shumë njerëz të famshëm, por ai ishte në qendër të asaj bërthame, në atë mënyrë që është e vështirë të shpjegohet sot. Por fama e tij arriti një nivel që nuk e kam parë, prej asaj kohe.” Belushi do të kishte mbushur 70 vjeç më 24 janar, por u nda nga jeta në moshën 33- vjeçare, më 1982-shin. E megjithatë, ndryshe nga komedianët me ndikim në atë epokë, që vdiqën të rinj – Doug Kenney, themeluesi i revistës së komedisë “National Lampoon; bashkëprotagonistja e Belushit në Saturday Night Live (SNL), Gilda Radner – legjenda e tij vazhdon të shkëlqejë. Fytyra e tij shihet ende në miliona bluza dhe afishe në muret e atyre që lindën, dekada pasi ai vdiq. Më 2015-ën, Rolling Stone e votoi si më të mirin e 145 anëtarëve të SNL-së, duke lënë pas Eddie Murphy, Tina Fey dhe Bill Murray. Revista i citoi aftësitë komike dhe fizikun e Belushit – “një trup mundësi me këmbë balerini, diç brishtësisht djaloshare në marrëzinë e tij” – si arsyet e joshjes së tij jetëgjatë dhe kjo është e gjitha e vërtetë. Por do të ishte naive të pretendoje se vdekja e parakohshme e Belushit nuk luan një rol në reputacionin e tij që zgjat në kohë.
Qëkur u gjend i vdekur në hotelin “Chateau Marmont”, në Hollivud, zemra e tij pushoi për shkak të mbidozës me heroinë dhe kokainë, Belushi u bë sinonim i hedonizmit, oreksit, teprisë – ashtu si personazhi i tij i babëzitur Bluto, tek “Anima House” (Shtëpi Kafshësh). Konsumi i narkotikëve, veçanërisht kokaina, është bërë më e famshme vetëm pas vdekjes së tij. Kjo është pjesërisht falë “Wired”, biografisë së botuar fill pas vdekjes së tij, shkruar nga Bob Woodward, që nxorri hollësi sesa kokainë kishte marrë Belushi dhe kur. Të dashurit e Belushit, e urryen “Wired” dhe ishin të kujdesshëm kur flisnin me të huajt rreth tij, të zemëruar sesi e kishin reduktuar atë vetëm tek varësitë. Vejusha e Belushit, Judy Belushi Pisano, e thotë kështu: “Disa artikuj – dhe libri i qarkulluar gjerësisht – kanë mbuluar historinë e drogës. Do të ishte mirë të kishte një histori që kremton jetën e bukur të John Belushit: kurajo e tij për të farkëtuar jetën që ëndërroi në një peizazh të panjohur, përkushtimi i tij ndaj artit, miqësive legjendare dhe temperamentit të dashur.” Por jeta e John Belushit nuk mund të rrëfehet pa iu referuar edhe vdekjes. E sado, të afërmit e tij urojnë që të tjerët të reshtin së fokusuari tek drogat, thuajse të gjithë njerëzit me të cilët flas rreth tij, rrëfejnë pa ngurrim rreth efektit që drogërat kishin tek njeriu i tyre i dashur. Por është gjithaq e vërtetë se, ndërsa drogat mund t’i jenë shtuar legjendës së tij, ai nuk do të ishte komediani legjendar, vetëm pse ishte i varur nga droga.
Belushi u lind dhe u rrit në Çikagon periferike, djali i madh i dy emigrantëve shqiptarë. “Prindërit e tij kurrë nuk u asimiluan dhe mendoj se ishte e vështirë për John-in, të ndiqte ato shkolla krejt amerikane gjatë ditës dhe të kthehej mbrëmjeve në shtëpi, tek familja e tij shqiptare. Asnjë prej nesh në lagje nuk e dinte se ku binte Shqipëria”, thotë Pisano, e cila nisi lidhjen me Belushin, kur ishin në shkollë të mesme. “John-i dukej ndryshe nga të gjithë ne – i zeshkët dhe madje qarkullonte një shaka se kishte lindur me mjekër. Ai ishte i vetëdijshëm rreth etnisë së tij dhe kurrë nuk i merrte shokët në shtëpi – ishte ai që shkonte në shtëpitë e të tjerëve. Mbase aty e mori zakonin e të shoqëruarit me njerëz.” Çfarëdo pasigurish që Belushi ndiente rreth prejardhjes së tij, ai ishte një yll që prej fillimit. Në shkollë ishte futbollist, i binte baterisë në një grup muzikor, një kampion në spektakle talenti dhe mbret, kur kthehej në shtëpi. Pas një bastisje të shkurtër në kolegj, ai u përpoq për “Second City” (Qyteti i Dytë), sipërmarrja e improvizuar e komedisë në Çikago, që kishte trajnuar në atë kohë Steve Carell, Stephen Colbert dhe Amy Poehler. Ai ishte – dhe mbetet – i vetmi aktor që u punësua menjëherë në trupën kryesore, ndryshe nga të tjerët që trajnoheshin në turnetë e kompanisë, më parë. Belushi, atëkohë një hipi leshatak që tymoste droga, mund të krijonte barsoleta të vrazhda, por edhe komedi të buta fizike dhe rrëmbente çdo skeç, në të cilin hynte. “Natën e parë e pashë të improvizonte në skenë, mendova: “Zot, nuk do të kem kurrë shans të tillë. Nuk e kam atë lloj kuraje”. Por kishte gjithnjë diç më të sigurt dhe më të rehatshme rreth të qenit unë, sesa të qenit ai”, do të kujtonte më vonë, Harold Ramis, koleg i Belushit në “Second City”.
Belushi u punësua më pas nga “National Lampoon” për të bërë spektaklet e tij në skenë dhe në radio, së bashku me Christopher Guest, Chevy Chase, Radner, Bill Murray dhe Ramis. Ky ishte edhe brezi më i mirë i talentit komik amerikan dhe Belushi ishte në qendër të tij. Reitman prodhoi produksionin jashtë Broadway-it, “National Lampoon Show”. “U përpoqa t’u bëja regjisorin, por ata qeshën me këtë – bënë regjinë e vetes. Por ndërkohë që mua nuk ma vinin veshin, John-in e dëgjonin. Ai ishte performuesi më i jashtëzakonshëm në këtë grup të jashtëzakonshëm. Ai ulej në skenë me karizmën e tij prej Marlon Brandoje”, thotë Reitman. Njerëzit që e njihnin Belushin në vitet e hershme, e përshkruan njeri të ngrohtë dhe shumë besnik, si dikush që përpiqej t’u gjente punë shokëve dhe ishte aq i butë sa nëse macen e tij e zinte gjumi në prehrin e tij, ai do të bëhej vonë në prova, për të mos e zgjuar. Nga ana tjetër, “ai mund të të shtinte frikën, për shkak të forcës së madhe të personalitetit. Vetëm kështu mund të qëndroje dhe të ishe argëtues në atë grup”, thotë Reitman. Në këtë pikë, Belushi u punësua për sezonin e parë të SNL. “John-i ishte skeptik rreth televizionit në fillim, por dinte më thelbësoren: si ta mbante audiencën në pëllëmbë të dorës.
Ai kurrë nuk u largua nga skena, pa pasur një lidhje të fortë me audiencën. Ndaj nuk ishte habi për mua që u lartësua në atë mënyrë”, thotë Lorne Michaels, krijues dhe producent i SNL. Sado që shfaqja i dha emër Belushit, ishte, më rrëfen Pisano, “edhe një farë beteje për të”. Belushi ishte përplasur me Chase dhe Guest në “National Lampoon”: “Ata shkruanin një lloj humori prej shkolle private dhe John ishte një vulë e lehtë. Ai vinte nga Perëndimi i mesëm, ishte mbipeshë dhe nuk ishte diplomuar në kolegj, ishte etnik – jo akoma më mirë, ishte shqiptar. E gjitha kjo ishte material i mirë për ta”, shkruan ajo në “Belushi”, biografia e saj për bashkëshortin e ndjerë, e botuar më 2005-ën. Kjo dinamikë përsëriti veten në SNL, pasi Chase u punësua gjithashtu për sezonin e parë. “Chevy kishte një mendje të mprehtë dhe humori i tij mund të ishte mizor. Mendoj se kishin respekt për njëri-tjetrin, por ishin gjithaq në garë”, thotë ajo. Por Belushi, gjeti shpejt brazdën e tij dhe u bë ylli i shfaqjes, falë parodisë së tij për Joe Cocker, personazhin e samurajit, burrin e xhindosur të motit dhe në fund, tek “Blues Brothers” (Vëllezërit Blues), me shokun e tij të ngushtë Dan Aykroyd.
Por kishte disa ankesa rreth sjelljes së tij. “Ai nisi të thoshte: “Nuk dua t’i bëj skenat e vajzave”, thotë Picaso, duke lënë të kuptohej se do të refuzonte të luante në skenat e shkruara nga gratë. Belushi ishte i afërt me Radner-in dhe e respektonte shumë si komediane, por gratë e tjera në shfaqje nuk e impresiononin. Kolegia e tij në SNL, Jane Curtin e ka përshkruar sjelljen e tij prej asaj kohe, si seksiste. “Nga sezoni i dytë, John ishte në kopertinat e revistave dhe përjetonte një nivel krejt të ri fame. U bë e papërballueshme për të dhe shprehej në netët e vona, me drogat”, thotë Michaels. Më 1976, Ramis, bashkë me Doug Kenney dhe Chris Miller nga “National Lampoon”, shkruan një skenar komedia rreth një vëllazërie kolegji.
Universal Studios iu tha se nëse nuk merrnin Belushin për të interpretuar Bluton, personazhin e veshur me togë e që ha si i sëmurë, ata nuk do ta prodhonin filmin. “Vajta në Nju Jork që ta bindja’, thotë regjisori John Landis. “ U takuam tek hoteli ku po qëndroja dhe gjatë takimit Belushi telefonon shërbimin e dhomës. Menjëherë pasi iku, kamerierët hynë befas me pjata ushqimi: spaghetti, koktej karkalecash, kek – gjithçka në meny. Ishte sikur kish dalë nga ndonjë film i vëllezërve Marx. “Vitet ‘70 ishin një dekadë e kinemasë serioze – Five Easy Pieces, The Godfather – por “Animal House” u bë një nga filmat që përkufizuan epokën. “Ai skenar mbërtheu zërin e gjeneratës Broomer për komedinë”, thotë Reitman, i cili e prodhoi atë. “Dhe John-i ishte kryesor në të. Megjithëse ishte i rraskapitur – duke fluturuar mes Nju Jorkut, ku bënte SNL-në dhe pastaj në Oregon për disa ditë në javë, për të xhiruar Animal House – ai ishte i hatashëm aty.” Bluto ishte një personazh kinse minor, një tallës me një oreks të pafund. Por Belushi e mbushi me aq shumë energji, sa është ende gjëja e parë që të gjithë sjellin ndërmend kur kujtojnë filmin “Animal House”. “Përfundova duke i hequr dialogun, sepse John-i mund të bënte aq shumë me fytyrën dhe trupin e tij. John e interpretoi atë si një Përbindësh Biskotë i kryqëzuar me një Harpo Marx; edhe në agresivitetin më të madh të Blutos, prapë të pëlqen”, thotë Landis.
Rreth asaj kohe, Belushi dhe Aykroyd nisën të performonin si “Blues Brothers”. Belushi ishte tashmë në filmin më të madh, në shfaqjen më të hatashme televizive dhe në grupin më emocionues. Vetëm ecja nëpër rrugë për të ngrënë një darkë, mund t’i merrte atij një orë, që të kapërcente admiruesit. “Shumë njerëz që kishin arritur statusin e të famshmit, mbylleshin dhe nuk përfshiheshin, por John-i gjithnjë donte të përfshihej me të gjithë. Por duhet të jesh me këmbët fort në tokë që të përballesh me gjithë ato kërkesa”, thotë Pisano. Filmi më i njohur që realizoi në këtë kohë ishte “1941”, i famshëm i Steven Spielbergut, dhe ai u bë një model, me Belushin që bënte filma që dështonin në pritshmëri. Një përjashtim ishte filmi i dytë që edhe vulosi reputacionin e tij: “The Blues Brothers”.
“Kur bëmë Blues Brothers, John-i ishte një yll i madh dhe ishte ndryshe të punoje me të në këtë film, sesa kishte qenë tek Animal House – ai nuk mund të shkonte askund dhe kishte atë varësinë e tmerrshme të kokainës”, thotë Landis. “Punësuam një njeri ta ruante dhe pati momente të frikshme gjatë realizimit të filmit. Njerëzit thonë tani se John-i ishte njeri i vështirë për të punuar me të, por nuk ishte. E vetmja zënkë që kemi pasur, në të gjithë kohën që kemi punuar bashkë, ka qenë rreth drogës, jo prej temperamentit, por për shëndetin.” Belushi dhe Aykroyd ishin një dyshe shumë e dashur aktorësh e ky ishte edhe sekreti i suksesit të filmit. Por ishte e dukshme se ajo energji që Belushi kishte tek “Animal House”, ishte venitur. Në disa skena të “Blues Brothers”, duket që mezi përfshihet. “Ishte tejet frustruese. John-i ishte fantastik, por nuk ishte në gjendje të jepte njëqind përqind në atë film. Me varësinë, nuk mundesh ta ndihmosh dikë nëse tjetri nuk tregon vullnet për t’u ndihmuar. Është si t’i japësh dorën dikujt që po mbytet dhe ta refuzojë. Ishte e tmerrshme. Nga ai djali i ëmbël u bë i egër dhe maniak”, thotë Landis.
Paskëtaj, Landis dhe e shoqja, kostumografia Deborah Nadoolman do të darkonin në disa raste me Belushin: “Ia kalonim mirë dhe më pas unë e Deborah do të ktheheshim në shtëpi. Por John-i do të shkonte në një klub punk deri në 3 të mëngjesit dhe pastaj diku tjetër, kushedi. Vazhdonte pa u ndalur 24 orë të ditës. Por pavarësisht gjithçkaje, bënte miq kudo – komedianë, punkë, të çdo lloji. Të gjithë e donin John-in, sepse deri në fund ishte njeri i ngrohtë dhe i mrekullueshëm dhe jam ende i zemëruar me mënyrën si rrodhën ngjarjet.” Dy vjet pasi realizuan “The Blues Brothers”, Michaels e takoi Belushin një mbrëmje, në Nju Jork. “Hollivudi ishte një trysni krejt e re për të e megjithëse ishte ende i njëjti John komik , ishte i shfrenuar. Kishte qenë për një kohë të gjatë në atë valë.” Një muaj më vonë, John vdiq në dhomën e hotelit pasi një shitës droge e vrau me kokainë dhe heroinë. Në atë kohë, shumë e vendosën varësinë e tij të drogës mbi famën e tij të beftë e marramendëse. Por atë që ishin afër tij, mendojnë se kjo është shumë thjeshtëzuese. “John-i kishte gjithnjë një parehati me veten dhe përpiqej ta mbushte me diçka. Ishte një element, por nuk ishte i mjaftueshëm”, thotë Pisano. “Dhe drogat ishin pjesë e kësaj – një pjesë e madhe e kësaj. Nuk e di, jam e sigurt se fëmijëria e tij ka të bëjë me këtë.” Ajo çka bëhet e qartë gjithaq, duke biseduar me ata që e njihnin Belushin dhe duke lexuar librat e asaj epoke, ishte se ndërkohë që merrte shumë droga, shumë të tjerë rreth tij merrnin po aq. “John-i ishte një nga djemtë e mëdhenj, por nuk ishte vetëm. Mendoj se mbase njerëzit nuk e dinin asokohe sesa e rrezikshme ishte. Më pas John-i vdiq dhe ata e kuptuan”, thotë Pisano.
Fotografitë nga funerali i tij shfaqnin të tronditur një gjeneratë të tërë yjesh të komedisë. Një nga imazhet më prekëse është ajo e Bill Murray-it , që vendos një lule në arkivolin e Belushit. Aykroyd po punonte në një skenar filmi për veten dhe Belushin kur mori telefonatën që e lajmëronte se shoku i tij i ngushtë kishte vdekur dhe ai film u bë “Ghostbusters” (Gjahtarët e Fantazmave). Nuk ishte e vështirë të imagjinoje Belushin në rolin e Venkman-it, që vulosi famën e Murray-it. “Ishte e qartë që shpirti i tij ishte brenda skenarit të Danny-it dhe e respektoj këtë”, thotë Reitman, i cili bëri regjinë e filmit “Ghostbusters”. “Kur nisëm të krijonim personazhin e Slimer-it, asaj fantazme të vogël të rrumbullt, që ha shumë, më bëri të mendoja John-in. E quajtëm Slimer, por ishte në të vërtetë shpirti i John-it, në zemrat tona.” E pyes Reitman-in rreth krahasimeve mes Murray-it dhe Belushit dhe ai tregon ndryshimin kryesor mes tyre: “Billi ka qenë gjithnjë shumë më i kujdesshëm rreth famës”, thotë ai. “Ishte i kujdesshëm se me kë shoqërohej dhe ishte shumë anti-Hollivud. Dëshironte një jetë më të thjeshtë. Gjithashtu, ai nuk do të përfundonte kurrë tek drogat, ndërsa John-i u hodh me këmbët e para.” Landis sheh një tjetër dallim mes tyre: “Mendoj se John-i do të kishte qenë një yll shumë më i madh sesa Bill Murray. Billi është gjithmonë Bill Murray, ndërsa John-i ishte aktor i vërtetë. Ka shumë pak të përbashkët mes Blutos dhe Jake Blues.” Belushi la pas një trup të vogël të një pune jetëgjatë që shpalos potencialin e tij. “Ekziston kjo mitologji rreth John-it, por në fund ai ishte një djalosh sharmant dhe një performues i mahnitshëm”, thotë Landis. “Ishte i fortë si një traktor dhe inteligjent si një dem dhe ai do të kishte vijuar të bënte gjithçka.”
Një pjesë e magjepsjes me Belushin, është se në retrospektivë, ai duket, siç e sheh Pisano, “si një simbol i kohërave”: hipia që tymos droga në vitet ’60, që solli rock’n’roll-in në komedi në vitet 70 dhe u gllabërua nga kokaina, në vitet ’80. Por kjo joshje rri tek vetë njeriu: nuk kishte asgjë të ftohtë apo të paprekshme rreth tij, siç ishte rasti i komedianëve të asaj epoke. Kishte diçka shumë më njerëzore, më emocionale rreth Belushit. Ndërsa audiencat admironin Chase, Steve Martin dhe Murray, ata dashuronin Belushin. Ai ishte aq i hapur dhe i ekspozuar si një luledielli dhe ndërsa kjo ndihmoi në zhbërjen e tij, ishte edhe arsyeja pse shumë njerëz ende ndiejnë një lidhje me të. “Një nga gjërat e parapëlqyera në zyrën time është një foto polaroid e ne të dyve, nga viti 1976”, thotë Michaels. “E kundroj dhe shoh një pafajësi tek John-i atëkohë, një shkëlqim. Kjo është ajo që mbaj mend prej tij.” * Hadley Freeman/ The Guardian