Serbia dhe Vatikani janë vendet e radhës në kontinent që përfshihen në hartën e përhapjes së koronavirusit. I infektuari i parë i Serbisë është një 43-vjeçar, i cili rezulton ta ketë marrë virusin gjatë vizitës së tij në Hungari, vend i cili njoftoi të prekurit e parë këtë javë. Ai kishte vizituar Budapestin ku jeton motra e tij, ndërsa e gjithë familja në Serbi është vënë në izolim dhe po u nënshtrohet analizave.
Ndërsa autoritetet e Vatikanit thanë se i infektuari i parë është një mjek që shërben në spitalet e Selisë së Shenjtë. Ende nuk dihet se nga e ka marrë virusin, por klinika ku ai shërben është mbyllur për t’iu nënshtruar dezinfektimit.
Raste të reja infektimesh janë regjistruar në Kroaci e Austri, ku numri i të prekurve ka arritur në 47.
Teksa numri i viktimave në Itali arriti në 147, duke u bërë vendi i dytë pas Kinës për nga numri i viktimave. Sipas një raporti të Institutit Italian të Shëndetësisë, mosha mesatare e viktimave është 81 vjeç. 2/3 e tyre kanë pasur sëmundje të hershme që ishte në stade përparimi. Ekspertët e këtij vendi po shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes së afatit të mbylljes së shkollave dhe universiteteve, nga 15 Marsi deri në Prill.
Autoriteti palestinez shpalli gjendjen e emergjencës nga koronavirusi në Betlehem, pas konfirmimit të 7 rasteve të para të të infektuarve.
Në të gjithë botën, numri i viktimave ka arritur në 3383, ndërsa ai i të prekurve në afro 99 mijë.