Ava Max është një prej këngëtareve më në zë të momentit. Kënga e saj “Sweet But Psycho” për pak sa nuk doli në vend të parë në renditjen britanike të Krishtlindjeve 2018.
Por gjithsesi ajo u rendit e dyta, duke kaluar edhe Ariana Granden, ndërsa një javë më pas arriti më në fund të dilte në vend të parë, duke shtuar Mbretërinë e Bashkuar në listën e 10 shteteve ku hiti i saj ka kryesuar klasifikimet, përfshi këtu Gjermaninë, Zelandën e Re dhe Suedinë.
Por këngëtarja shqiptare – siç e quan ajo veten – tregon për “Belfast Telegraph” se sa e vështirë ka qenë, sidomos për familjen e saj, që t’i ofronte vajzës mundësinë për t’u bërë një këngëtare e famshme.
“Nuk më besohet që kënga ime ka ecur kaq shumë”, thotë Amanda Koçi, e lindur në Shtetet e Bashkuara nga dy prindër shqiptarë të larguar në vitet ’90.
Mund të duket sikur suksesi ka ardhur krejt papritur, por Ava shpjegon që nuk ka qenë e lehtë për të, dhe sidomos familjen e saj, për të realizuar gjithçka që kanë arritur.
“Gjithë jetën time kam vrapuar”, thotë ajo. “Kam lëvizur shumë që kur isha 14 vjeç për të realizuar ëndrrën time. Por prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë për mua. Në vitin 1990 apo 1991 ata lanë Shqipërinë dhe shkuan në Paris për një vit. Atje jetuan gjatë gjithë kohës brenda një kishe deri sa kur njohën një grua që u siguroi pasaporta dhe përfunduan në Uiskonsin, ku linda unë. Mbërritën në Amerikë duarbosh, pa para dhe pa ditur gjuhën. Ishte shumë e vështirë për ta. Mbaj mend kur isha e vogël që ata bënin nga tre punë për të na mbajtur. Kur e kujtoj, them sa me fat jam që bëj këtë punë”.
Edhe pse është lindur në Shtetet e Bashkuara, ajo thotë se është “100% shqiptare” dhe se dëshiron të bëjë diçka për komunitetin shqiptar kurdo që të ketë mundësi. “Do të ishte fantastike sikur të zhvillonim një koncert atje për mbledhje fondesh për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Është e rëndësishme të kthesh diçka mbrapsht nga ato që merr”.