Bota Gratë e dy furnitorëve të El Çapos tregojnë si fshehën e shpenzuan...

Gratë e dy furnitorëve të El Çapos tregojnë si fshehën e shpenzuan 2 miliardë dollarë

| Nga American Eye
Shpërndaje

Margarito dhe Pedro Flores, vëllezër binjakë nga Çikagoja, janë personat që kanë ndihmuar më shumë për arrestimin e narko-terroristit më famëkeq, El Çapos.

Gratë e tyre, të cilat kanë shkruar librin “Gratë e Kartelit”, tregojnë se si vëllezërit i fshihnin paratë që trafikonin. Në vitin 2015, vëllezërit u dënuan me nga 14 vite burg secili.

“Nga viti 2005 deri në 2008, burrat tanë trafikuan 2 miliardë dollarë në Meksikë dhe shtëpia na mbushej plot me para gjithandej. Kishim mure që hapeshin me mekanizma hidraulike, dhe brenda mbaheshin miliona dollarë në prerje të vogla, para rruge. Bashkëshortët na linin dengje me nga 1 ose 2 milionë dollarë nëpër dhomë që t’i shpenzonim sipas dëshirës”, thonë ato.

“Kishin punëtorë që vinin vetëm për të numëruar paratë, me tetë-orarëshe të rregullta pune, me tre turne. Po flasim për miliona dollarë në ditë, në kartëmonedha të vogla, 10 dollarëshe, që vinin nga shitjet në rrugë”, kanë deklaruar gratë edhe në dëshmi.

“A përfituam? Sigurisht që po. Shpenzonim shumë, rrinim një muaj pa ndërprerje në plazh, por në fund të ditës donim që ta denonconim atë lloj jete, sepse rëndësi për ne kishte dashuria, familja dhe thjeshtësia”, thonë Mia dhe Olivia Flores.

Dy vëllezërit ishin të pandashëm që në lindje, por dinin edhe ta trajtonin punën si biznes, jo si luftë bandash. Kur njëri prej vëllezërve u mor peng, tjetri pagoi shpërblesën 2 mln dollarë pa e diskutuar fare. Kur ua sollën pengmarrësin të lidhur, ata e liruan që të mos hapnin luftë bandash, por të përqendroheshin te paratë.
Dy vëllezërit binjakë lindën në Çikago, dhe babai i tyre ishte një shitës i njohur kokaine. Ata lindën mes botës së drogës. Kur u rritën, ia kaluan dhe të atit, Margarito Flores. Ishin të vetmit që arritën t’i bëjnë bandat latine të bashkëpunojnë me zezakët e Çikagos.
Por në vitin 2008, vëllezërit u gjendën midis dy bosëve të drogës. Nëse bëheshin ortak me njërin, bëheshin armik me tjetrin. Çfarëdo të zgjidhnin, lufta ishte e sigurt. Ndaj ata zgjodhën të dorëzohen në polici, duke shpresuar për ulje dënimi. Prej dëshmisë së tyre, policia kapi 71 ton kokainë, si dhe gjurmoi El Çapon.
Falë lidhjeve me kartelin e El Çapos në Sinaloa, si dhe falë njohjeve të babait, ata kishin arritur të bëheshin furnitorët kryesorë të El Çapos, ndaj dhe pasuria ishte e stërmadhe. Gratë e tyre tregojnë se si i shpenzonin dhe se si i fshihnin në një libër të shkruar enkas. Vëllezërit u dënuan me 14 vjet burg.