Nuk luhet vetëm futboll në Shqipëri, por një ndër sportet elitare është dhe basketbolli. Dita e sotme kishte parashikuar një supersfidë ndërmjet Goga Basket dhe Teutës për llogari të javës së 13-të. Ndeshja nuk do të luhet dhe arsyeja është e çmendur.
Dy presidentët e dy klubeve janë përplasur mes tyre. Arqile Gorea i Teutës dhe Perikli Goga i Goga Basket janë rivalë të ashpër. Goga nuk ka lejuar që Gorea të futet në pallatin e sportit për të parë sfidën nga afër.
Një veprim i tillë ka acaruar së tepërmi presidentin Gorea që ka tërhequr ekipin nga parketi. Ai nuk ka lejuar që ndeshja të zhvillohet. Teuta dhe Goga kanë përplasje të hershme dhe rivaliteti mes klubeve pasqyrohet dhe në klimën që kanë dy presidentët, sipas asaj që informon Panorama Sport.
Nga ky vendim mbetën të zhgënjyer qindra tifozë që kishin prerë biletë për të ndjekur këtë takim. Teuta udhëheq kampionatin me 22 pikë 2 më shumë se Goga e vendit të dytë.