Sport Conte: Juve-Inter, sfidë e madhe për ambiciet tona dhe klasifikimin

Conte: Juve-Inter, sfidë e madhe për ambiciet tona dhe klasifikimin

Pas shumë diskutimesh dhe shtyrjesh, më në fund do të jetë koha për një ndeshje të madhe në Serie A. Në “Allianz Stadium” e shkretë (të boshatisur), Juventusi do të presë Interin në një derbi të pazakontë të Italisë, por me një rivalitet të përtërirë për titullin. Ndeshje speciale për Antonio Conte, i cili rikthehet të përballet me skuadrën, ku u rrit si “ish”. Për mikrofonat e “Inter TV”, trajneri nga Salento komentoi menjëherë situatën surrealiste të futbollit italian, prej koronavirusit: “Kjo është një situatë delikate. Të gjithë kemi familje. Është e pashmangshme që ajo që po ndodh të kalojë pa u vënë re nga ne, pjesa e futbollit. Nuk mund të jemi indiferentë. Situatë e pashmangshme, ndaj shpresoj që të gjithë të përballemi me situatën në mënyrën më të mirë”.

Sidoqoftë, Interi është në gjendje të mirë për duelin e madh, pavarësisht disa ditëve pasivitet (pa ndeshje): “Ne arrijmë në këtë transfertë në mënyrën e duhur, përkundër vështirësive, sepse ndryshimi i programeve, mosluajtja e ndeshjeve nuk ishte e lehtë. Por, siç iu thashë djemve, duhet të jeni mirë në këto situata, që të përshtateni shpejt. Do të përpiqemi të vazhdojmë të bëjmë mirë, si deri tani, të punojmë shumë. Situata është e vështirë, por e pashmangshme. Publiku është shumë i rëndësishëm kur luani futboll, veçanërisht në ndeshje të tilla specifike dhe të bukura. Në këtë moment shumë delikat, megjithatë, duhet pasur kujdes i madh, sepse shëndeti i të gjithë qytetarëve vjen së pari. Për këtë arsye duhet të përshtatemi me realitetin dhe përpjekjen për t’i bërë gjërat sa më të sigurta”.

Skuadra zikaltër dëshiron një rezultat pozitiv ndaj Juventusit, për t’i rritur ambiciet e saj në garën e titullit: “Lojtarët e mi nga ky këndvështrim janë të jashtëzakonshëm, sepse gjithmonë tregojnë vetëmohim e disponueshmëri të madhe. Edhe dëshira është e tillë te të gjithë. Mezi po presim ta luajmë këtë ndeshje, që do të thotë shumë për ambiciet tona dhe klasifikimin. E jona është dëshirë dhe ambicie për të kërkuar maksimumin përmes punës. Duam ta ngremë “stekën”, t’i afrohemi sa më shumë Juves”.

Në fund, një koment edhe për Getafe, kundërshtarin e radhës të Interit në “Europa League”: “Do të jetë një ballafaqim i vështirë. Getafe është zbulimi i futbollit spanjoll dhe kombinon cilësinë, sasinë dhe pragmatizmin konkurues. Është një ekip shumë kompakt dhe solid, i udhëhequr nga një trajner shumë i mirë. Ne e dimë se mund të përballemi në ndeshjen e parë me stadiumin të mbyllur, kështu që duhet të jemi në gjendje t’i përshtatemi kësaj situate”.