Kreu i qeverisë Edi Rama në një mbledhje këtë mëngjes me task-forcën e shëndetësisë ka bërë me dije se institucionet arsimore do të mbyllen për një periudhë 2 javore, ndërsa do të pezullohen fluturimet drejt Italisë Veriore dhe zonave të kuqe, deri më 3 Prill.
Këto janë dy masat e para që merren pas konfirmimit se në vendin tonë janë infektuar me koronavirus dy persona, babë e birë, të cilët janë kthyer nga Firence e Italisë.
Po ashtu pezullohen edhe të gjitha aktivitetet kulturore, sportive apo konferencat deri më 3 Prill.
“Masat e sotme për t’i vënë në lëvizje janë pezullimi i fluturimeve direkte me Italinë e Veriut dhe zonat e kuqe të izoluara plotësisht deri në 3 Prill, mbyllja e institucioneve shkollore për javë, dhe pastaj vlerësimi në proces.
Pse mbyllja e institucioneve arsimore? Sepse nga të gjitha statistikat e nxjerra deri tani, pjesa më pak e prekur është pjesa e më të rinjve, por nga ana tjetër duhet kuptuar se të rinjtë apo fëmijët, të cilët për shkak që faktit që duhet të shkojnë në shkollë dhe mblidhen së bashku , mund ta transmetojnë tek të tjerët dhe pse për vetë ata nuk shfaqen në kërcënim nga virusi”, tha kryeministri.
Rama tha se tast-forcat nga strukturat e shëndetësisë, ka punuar në mënyrë të pandërprerë gjatë këtyre ditëve dhe vazhdon të veprojë në zbatim të masave që bazohen në tre drejtime:
1-kufizimi i virusit
2-vonimi, shtyrja në kohë e përhapjes së infeksionit
3-lehtësimi i pasojave që mund të sjellë.
Sa i takon mbylljes së kufijve, Rama u shpreh: “OBSH kundërshton mbylljen e kufijve, e them këtë sepse vazhdimisht është predikuar nga burime të pacertifikuara se duhen mbyllur kufijtë dhe faktikisht mbyllja e kufijve është masë drastike e përdorur pothuajse fare apo pjesërisht në raste shumë specifike dhe të dhëna specifike që Shqipëria sot nuk i ka”.