Aktualitet Besa Shahini: Do të krijojmë klasa virtuale, provimet e maturës nuk shtyhen

Besa Shahini: Do të krijojmë klasa virtuale, provimet e maturës nuk shtyhen

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se duhet të krijohen klasa virtuale me qëllim që nxënësit të mos mbeten mbrapa me mësimet pas mbylljes së shkollave prej koronavirusit.

Në një konferencë për shtyp, Shahini tha se nxënësit duhet të punojnë vetë nga shtëpia dhe se duhet të aplikohet komunikimi me mësuesit përmes rrjeteve sociale.

“Për shkak të humbjes së orëve të mësimit nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk do të zëvendësohen dot të gjitha orët e mësimit. Fëmijët do punojnë nga shtëpia. Materialet do ndahen në rrjetet sociale dhe do kalojnë nga drejtorët e shkollave tek mësuesit, të cilët do ia kalojnë prindërve dhe këta të fundit do ia përcjellin fëmijëve. Do përdoret edhe metoda e selfie video, kjo është një nga mënyrat. Nëse ka pyetje, mësuesi bën video dhe e dërgon nxënësve në grup. Do aplikohet që nesër. Do krijohen klasë virtuale. Nxënësit duhet të mësojnë në shtëpi.”

Shahini sqaroi se provimet e maturës do të zhvillohen në datat e paracaktuara.

“Për maturën shtetërore nuk do shtyhet data. Do jetë e vështirë për maturantët që aplikojnë për universitet. Do mundohemi t’ia dërgojmë materialet që të punojnë nga shtëpia. Nëse i përcjellin udhëzimet tona do jenë më të përgatitur për shkak të botimit të pyetjeve. Linku do publikohet tani në faqen zyrtare në Ministrisë së Arsimit për udhëzimet.”

Ajo shtoi se do të bëhet dezinfektimi i shkollave të mbyllura. Institucionet arsimore do të qëndrojnë të mbyllura deri në datën 23 mars.