Aktualitet “Bënë rezistencë për t’u shtruar”, zyrtarja e Shëndetit Publik tregon çfarë ndodhi...

“Bënë rezistencë për t’u shtruar”, zyrtarja e Shëndetit Publik tregon çfarë ndodhi me babë e bir me koronavirus

Albana Fico, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik ka dhënë detaje të reja për dy pacientët e parë të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri babë e bir.

Fico tha në “Real Story” në News24  se të dy janë paraqitur në një spital privat me temperaturë e kollë dhe pasi janë këshilluar nga mjekja që t’u merret mostra, ata nuk e kanë bërë por janë larguar në shtëpi.

Ajo tha se fillimisht ka pasur rezistencë, por pas rezultatit të tamponit kanë pranuar të shtrohen në spital. Fico deklaroi se numri i kontakteve deri tani ka shkuar 24.

“Një rast që hyn në Muriqan në datë 26. Vjen e takohet me familjen e tij dhe në datë 3-4 fillon të ketë simptoma. Me babain kontakte më të afërta.

Duke pasur vështirësi në frymëmarrje, temperaturë të lartë i drejtohen një spitali privat. Më pas mjekja ka rekomanduar të merret mostra.

I kanë izoluar në spitalin privat dhe iu kanë kërkuar të merret mostra. Në mënyrë që të merrej mostra duhej telefonuar 127. Spitali privat ka telefonuar 127. Kemi një dakordësi me spitalet private që të gjithë rastet do përpunohen në këtë mënyrë.

Janë ndjerë më mirë dhe duke qenë një djalë i ri që sa kishte ardhur nga Italia e nuk ishte çmallur me familjen, kanë ikur në shtëpi, kanë thënë ‘mirë-mirë’ e kanë ikur. Duke u telefonuar 127 është bërë monitorimi, u pa që këta njerëz kishin shkuar në shtëpi. Nga ajo natë dhe ditën tjetër kanë pasur një lloj rezistence nga ana e pacientëve duke thënë jemi më mirë. Iu janë marrë mostrat dhe kur dolën mostrat dhe u tha se ishin pozitivë, ishin ata që kërkuan të shkojnë në spital.

Ata kanë vajtur në spital, janë informuar. Mjekja e spitalit privat i ka këshilluar. Fakti që këta vendosën këtë lloj gjëje nuk i dënon ata.

Kur dolën mostrat me ambulancë u transferuan në Infektiv. Mbrëmë janë njoftuar dhe njerëzit e afërt. Filloi mbrëmë e do të vijojë. Njerëzit janë përgjigjur mbrëmë, iu kemi marrë mostrat. Janë parë që kontaktet e ngushta janë 8, më pas rreth zgjerohet. Për momentin numri është 24”, deklaroi Fico.