Aktualitet Manastirliu: Kapacitet për të bërë rreth 500 analiza në ditë, por jo...

Manastirliu: Kapacitet për të bërë rreth 500 analiza në ditë, por jo për “kureshtarët”

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë thirrje qytetarëve që të mos vetëreferohen apo të dynden në spital.

Ndërkohë ka sqaruar se Shqipëria i ka kapacitete për të bërë edhe mbi 500 analiza në ditë, por duke respektuar protokollin e OBSH.

“Të shmangin daljet nëpër kafene, restorante, të shmangin daljet e panevojshme. Nëse merren këto masa, atëherë ne do kemi të gjithë mundësinë për ta parandaluar këtë situatë. Qytetarët të mos referohen vetë në spital, siç ishin dy të rinjve nga Skrapari, nuk pranuan ambulancën, por erdhën me makinën e tyre, ndërkohë që një gazetare me një maskë që e ulte dhe e vinte i bënte intervistë. Vetëm vajza kishte simptomat, ndërsa burri jo. Merrni numrin ‘127’ dhe të presin urgjencën për t’i transportuar në spital. Vetëreferimi dhe dyndja në spitale nuk na ndihmon që të përballojmë këtë situatë. Jemi të përgatitur për kapacitete deri në 500 në ditë, madje edhe më shumë nëse duan të testohen, sipas protokolleve, por jo që të bëjë dikush që do të dijë nëse është prekur, por nuk ka pasur kontakte me të prekur apo histori udhëtimi”, tha Manastirliu.

Manastirlu apeloi që qytetarët të zbatojnë rregullat për vetëkarantinim dhe karantinim, pasi bazuar në informacionet e skenarëve do të ketë një numër në rritje të rasteve të konfirmuara.

“Dua të informoj që sipas skenarëve që tashmë janë të ndërtuar prej Komitet te Koronavirusit që janë fleksibël, dinamik të ndërtuar nga komiteti i ekspertëve, sipas tyre parashikohet dhe është e pritshme për një rritje të numrit të rasteve. Ky është momenti që ne të kërkojmë që qytetarët të respektojnë masat”, tha Manastirliu.

“Jemi të vendosur për karantinën e detyrueshme, sido që të jetë ne do kujdesemi për ata që janë më të pambrojtur në këtë situatë, për të moshuarit dhe do të kujdesemi që të mos përhapet ky virus”, tha Manastirliu.