Është shënuar viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri. Ajo është 73-vjeçarja nga Durrësi, e cila ndodhej në terapi intensive.
Ministria e Shëndetësisë njofton se “73-vjeçarja e konfirmuar me COVID-19 ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare. 73-vjecarja vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese: Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus post by pass”.
Pak minuta para se të konfirmohej vdekja e saj, mjekët kanë tentuar të fusin në ambulancë për ta nisur drejt spitalit Infektiv në Tiranë, por më pas kanë gjykuar se ajo nuk mund ta përballonte zhvendosjen, duke e kthyer sërish në spitalin e Durrësit.
Viktima kishte 10 ditë që ishte kthyer nga Italia dhe 7 ditë e shtruar në spital, fillimisht me simptoma gripi, duke mos u treguar mjekëve se vinte nga shteti fqinj.
Disa ditë pasi ishte shtruar në spital dhe kur gjendja e saj po përkeqësohej, ajo ka rrëfyer se kishte udhëtuar në Itali, e pas kësaj i është bërë analiza për COVID-19, ku ka rezultuar pozitive.