Kryesore Rama: Kemi identifikuar të gjithë shqiptarët që kanë ardhur nga Italia

Rama: Kemi identifikuar të gjithë shqiptarët që kanë ardhur nga Italia

Kryeministri Edi Rama deklaron se Policia e Shtetit ka identifikuar të gjithë qytetarët shqiptarë që janë rikthyer në vendin tonë nga Itali gjatë 14 ditëve të fundit.

Këtyre personave, u bëhet thirrje që të qëndrojnë në shtëpi të izoluar për 14 ditë në zbatim të masave të ashpra që kanë hyrë në fuqi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kreu i qeverisë bën me dije se këta persona që nuk zbatojnë detyrimin për t’u vetëkarantinuar, do të gjobiten me 5 mijë Euro dhe nuk do të lejohen të dalin nga Shqipëria pa paguar gjobën.

“Policia e Shtetit ka identifikuar të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë hyrë nga Italia në 14 ditët e fundit. Pasi ka disponuar numrat e telefonit dhe adresat e tyre po vazhdon operacionin e posaçëm të sensibilizimit dhe monitorimit të tyre. Bashkëngjitur është mesazhi që u është dërguar këtyre qytetarëve dhe do të vijojnë trokitjet në dyert e tyre për t’u siguruar se po zbatojnë detyrimin e vetëkarantinimit 14 ditor. Shkelja e këtij detyrimi ndëshkohet me 5 mijë Euro dhe shkelësi do të ndalohet të dalë nga Shqipëria pa paguar gjobën”, shkruan Rama në Facebook.