Politika Rama zbulon ku e ka bërë zborin si ushtar dhe jep recetat...

Rama zbulon ku e ka bërë zborin si ushtar dhe jep recetat e veta për izolimin

Kryeministri Edi Rama u ka sugjeruar shqiptarëve dy receta se si t’i kalojnë ditët e izolimit brenda në shtëpi, në këtë periudhë të pazakontë për vendin, nga frika e koronavirusit.

Në komunikimin e tij virtual me ndjekësit në Facebook, Rama tregoi si po e kalonte ai ditën e tij në shtëpinë në Surrel.

“Po ju tregoj një nga gjërat që po bëj, ushtrime frymëmarrje joga të thjeshta e ushqim vetëm brenda 8 orëve, agjërim 16 orë, e kam me provë është super për trupin e mendjen. Më e mira do bëhet me besim e durim”, tha Rama.

Duke theksuar se kjo është një luftë reale me një armik që ka sulmuar mbarë botën, Rama ka treguar edhe se ku e ka bërë ai zborin kur ishte i ri, teksa tha se kjo jetë e re për shqiptarët nuk është aspak si ato stërvitjet ushtarake gjatë zborit.

“Që ta ndajmë mendje mirë miq, kjo jeta e re që sapo ka nisur s’është si ato stërvitjet ushtarake në kohën e zborit që na zgjonin me sirena në 3 të mëngjesit me alarm false për agresionin anglo-amerikan, unë të paktën andej e kam bërë zborin, kodrave të Mamurrasit, për të rrezuar me karabinat tona avionët bombardues të imperializmit. Jo, jo kjo është një luftë e vërtete me një armik të vërtetë që ka sulmuar mbarë njerëzimin e ka aftësinë të godasë në mënyrë të frikshme sistemet mbrojtës shëndetësor pa dallim sado i zhvilluar të jetë një vend”.