Kreu i qeverisë Edi Rama ka njoftuar ndryshimet e reja për qarkullimin në ditët në vijim.
Rama bën me dije se të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë, në sektorin publik apo privat, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08.00 të mëngjesit dhe nga ora 16.00 deri në orën 17.00 të pasdites.
Qarkullimi i automjeteve që nuk janë pjesë e shërbimeve shtetërore në lëvizje apo shërbimeve private që e kanë të domosdoshme lëvizjen, do të jetë e ndaluar rreptësisht për çdo automjet tjetër jashtë fashave të lejuara për vajtja/ardhje në punë.
Kryeministri paralajmëron se shkelja e regjimit të qarkullimit të “imponuar nga kushtet e luftës me armikun e padukshëm që kërkon pengje në familjet tona, do të ndëshkohet me heqjen e patentës së drejtimit për 3 vjet!”
PD kundër vendimit: Koronavirusi nuk infekton sipas orareve që cakton Edi Rama
Sipas Partisë Demokratike vendimi i fundit i qeverisë për qarkullimin e automjeteve nuk i shërben masave agresive kundër përhapjes së koronavirusit. Në një deklaratë selia blu thotë se i ka përkrahur në përgjithësi masat e qeverisë për situatën aktuale, por lejimi i lëvizjes së automjeteve në mëngjes dhe 1 orë pasdite zgjidh vetëm lëvizjen me makinë të drejtorëve të Edi Ramës.
“Është një vendim që tregon paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës dhe pandjeshmërinë e saj. Koronavirusi nuk infekton part time, sipas orareve që cakton nga shtëpia Edi Rama. Ose ka, ose nuk ka karantinë. Ose lejohet lëvizja për punë në oraret individuale të punës, ose nuk lejohet! Vendimet gjysmake janë si të vërtetat gjysmake, dëmtojnë më shumë”.
Partia Demokratike vlerëson se për shkak të situatës së krijuar, karantina totale, për një periudhë 14 ditore fillimisht, është një zgjidhje që ndihmon në mospërhapjen e gjerë të virusit dhe për të vlerësuar përmasat e përhapjes së tij nga ekspertët.
“Në kushtet kur qeveria nuk përmbush detyrimin ligjor që të dezinfektojë rrugët, parqet apo pallatet, qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur. Kjo masë duhet të shoqërohet menjëherë me miratimin nga qeveria të paketës së masave për pasojat social-ekonomike të krizës. Është koha që Edi Rama të mos kërkojë sakrifica vetëm nga qytetarët”.
PD i kërkon Ramës që të miratojë paketën social ekonomike që përshin rimbursimin e bizneseve, rimbursimin e pagës së punonjësve dhe ndihmën për të papunët dhe familjet në nevojë.