Ministrja e Shëndetësisë Orgerta Manastirliu ka deklaruar se Shqipëria ka gati më shumë se 9 mijë shtretër në spitale për situatën e krijuar nga koronavirusi.
Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministrja Manastirliu u shpreh se në dispozicion janë edhe kapacitetet e spitaleve private.
“Aktualisht gjendja në spitale do të jetë dinamike, por momentalisht paraqitet e qetë. Ne kemi marrë disa masa për të reduktuar ndërhyrjet e planifikuara. Në Shqipëri ne kemi mbi 9 mijë shtretër në dispozicion përfshirë edhe spitalet jo publike të cilat janë vënë në dispozicion të situatës sipas skenarëve që kemi planifikuar”.
Sipas ministres së Shëndetësisë, po përgatitet hapja e një qendre të dytë për të bërë testimet e pacientëve. Ndërkohë që Manastirliu ka siguruar se nuk ka mungesë të tamponëve për të kryer analizat.
“Ne jo vetëm që kemi tamponë dhe kitet dhe reagentë për të kryer atë analizë që duhet, por kemi dhe vijojmë të furnizohemi në vazhdim me të gjithë testimet. Ndërkohë planifikojmë të hapim dhe një qëndër tjetër me aparaturat që i kemi në spitalit tonë për të krijuar dhe qendrën e dytë që do të jetë në spitalin “Nënë Tereza”. Ne do të vijojmë të testojmë të gjithë ata qytetarë që shfaqin simptoma. Tamponi apo testi nuk i bëhet çdo njeriu që mund të ketë çdo simptomë sepse fare mirë mund të jetë edhe një grip i lehtë”.
Ministrja e Shëndetësisë ka konfirmuar gjithashtu lajmin e publikuar nga Tv Klan, se është pezulluar shërbimin e Check-Up deri në normalizimin e kësaj situate.
“Kemi vendosur ndërprerjen apo pezullimin e përkohshëm të kontratës së Check-Up dhe rikthimin pas përfundimit të kësaj situate. Është ngrirje e përkohshme nderi në përfundim të pandemisë. Më tej do të vijohet me ofrimin e shërbimit”.