Pas Kinës dhe Italisë, Irani është vendi më i goditur nga koronavirusi në botë, ku vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 135 persona, duke e çuar në 988 numrin total të viktimave.
Kjo situatë e rëndë, ka detyruar qeverinë në Iran të marrë një masë të rrezikshme, por të domosdoshme, duke lënë të lirë 85 mijë të burgosur, duke përfshirë edhe të burgosurit politikë.
Gholamhossein Esmaili, një zyrtar vendas, u shpreh se gjysma e të burgosurve që u liruan ishin “të burgosur të lidhur me sigurinë”. Megjithatë, ai nuk bëri të ditur se kur të burgosurit do të rikthehen sërish në ambientet ku vuanin dënimet.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje të herë pas hershme për situatën e rëndë në burgjet e mbipopulluara në Iran, si pasojë e numrit të lartë të të burgosurve politikë.