Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, bëri këshillën e radhës për qytetarët. Rama shkruan se maskat janë të dëmshme për personat të cilët nuk janë të sëmurë.
“E kemi përsëritur vazhdimisht që për ata qe nuk janë të sëmurë, nuk janë duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punojnë në një mjedis me shumë njerëz, maskat janë jo vetëm të padobishme, po edhe të dëmshme sepse ulin vigjilencën tonë në zbatimin e rregullave bazë!
Më tej, ai poston edhe një këshillë nga virologu i famshëm italian, Fabrizio Pregliasco. “Maska nuk është e nevojshme nëse nuk jeni pozitiv. Po përdoret kot! Për shembull, po përdoret në supermarket sepse ekziston frika nga afërsia e tjetrit, por është e kotë. Mjafton të mbani distancën prej të paktën një metër. Jo vetëm po e përdorni kot, po edhe mund t’ju dëmtojë sepse me maskë dhe doreza, ju jeni të prirur që të bëni marrëzira: prekni gjërat me doreza dhe më pas prekni gojën me doreza duke menduar se jeni i qetë. Por nuk janë duart problemi, problemi është ku i vendosni duart. Ekziston rreziku që të ulni nivelin e vigjilencës dhe mbrojtjes.
Le të lajmë duart dhe të mbajmë distancat.
Dhe kjo natyrisht prek edhe ata që bëjnë shëtitje apo vrapuesit. Problemi nuk është tek kush shkon për vrap apo bën një shëtitje vetëm në fshat. Është shumë më e rrezikshme të jesh afër dikujt që ka nxjerrë qenin për shëtitje, ose ka dalë në pazar në qytet. Rreziku është afërsia me të tjerët. Kjo është më keq sesa pneumonia virale. Është një sëmundje që krijon probleme. Prandaj, nëse dikush dëshiron të shëtisë vetëm, mundet por duhet ta dijë se po rrezikon nëse ka të tjerë vërdallë dhe nuk duhet të përdorë maskë dhe doreza.
Pra lani duart mirë dhe shpesh. Dhe mbani gjithmonë distancën tuaj. Kudo dhe kurdoherë. Maskat më shumë ju rrezikojnë duke ju nxitur të harroni rregullat bazë, se sa ju ndihmojnë të mbroheni nga virusi!”.