Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel iu drejtua përmes një fjalimi televiziv qytetareve dhe qytetarëve të Gjermanisë me apelin të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së epidemisë. Merkel e quajti luftimin e virusit të ri Corona si një detyrë me përmasa historike. Ajo i bëri thirrje arsyes së qytetarëve që të jenë të disiplinuar.
“Situata me të cilën po përballet Gjermania për shkak të pandemisë së koronavirusit është më seriozja që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Angela Merkel, në fjalimin e parë para kombit.
Kancelarja bëri thirrje urgjente për qytetarët gjermanë që të ndjekin kufijtë e rinj drastikë të lirisë së lëvizjes dhe të tregojnë solidaritet me më të prekurit për të kufizuar numrin e viktimave.
“Është shumë serioze. Duhet ta marrim seriozisht”, tha Merkel.
“Që nga Lufta e Dytë Botërore, vendi ynë nuk është përballur me një sfidë e cila varet aq shumë nga ne duke vepruar me solidaritet të përbashkët”, theksoi ajo.
“Mos i nënshtrohuni panikut, por gjithashtu mos besoni për asnjë moment se nuk varet vërtet nga ju”, tha kancelarja.
“Ne duhet të pranojmë kufizimet aktuale dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin”, theksoi Merkel.
Merkel ka paralajmëruar se akoma më keq do të shkojë ekonomia, ku nga kompanitë e mëdha dhe deri tek bizneset e vogla, dyqanet, restorantet dhe të vetëpunësuarit që përballen me vështirësi.
“Unë ju siguroj se qeveria gjermane do të bëjë gjithçka që mundet për të qetësuar efektet ekonomike dhe veçanërisht për të ruajtur vendet e punës”, tha Merkel.