Futbolli është cilësuar një fabrikë ku qarkullojnë miliarda euro dhe ndërprerja e aktivitetit ka një faturë shumë të lartë financiare. Vetëm pesë kampionatet më të mëdhenj në Europë sjellin 4 miliardë euro përfitime, ndërsa Champions League vlen rreth 3 miliardë euro, nga të cilat 2 miliardë i shpërndahen ekipeve pjesëmarrëse.
Pezullimi i futbollit, fakti që ende nuk dihet kur do të riluhet dhe rreziku që kampionatet të mos mbyllen, do të shkaktonin humbje të mëdha. Jo vetëm nga shitja e biletave, por edhe nga e drejta televizive dhe sponsorizimet. Për sa i takon përfitimeve, Premier League kryeson me më tepër se 1,2 miliardë euro, e ndjekur nga La Liga spanjolle, Serie A italiane, Bundesliga dhe Ligue 1 franceze.
Shifrat bien në mënyrë drastike nga bllokimi i futbollit, me humbje kolosale në arkat e klubeve. Edhe pse për klubet e mëdha bilanci negativ nuk është i ndjeshëm në shitjen e biletave, pasi nuk kanë më as kosto udhëtimi dhe akomodimi, problem mbetet aspekti komercial.
Nuk duhet harruar se klubet kanë kosto të bartura, siç janë rrogat e lojtarëve. Jo rastësisht, në Gjermani por edhe në ligat të tjera, klubet po mendojnë të gjejnë zgjidhje me shoqatat e lojtarëve për uljen e rrogave për këtë sezon. Situata e krijuar nga pandemia botërore rrezikon të krijojë një problem madhor likuiditeti për klubet, por edhe pengesa për merkaton.
Me fjalë të tjera, koronavirusi rrezikon jo vetëm sezonin aktual, por edhe të gjithë sistemin ekonomik të futbollit. Në një sfidë të tillë për të gjithë njerëzimin, me probleme tejet komplekse nga shëndeti te ekonomia dhe sporti, kërkohen zgjidhje të jashtëzakonshme.