Shkencëtare në fushën e Biologjisë Molekulare dhe Pedagoge në Universitetin e Oksfordit, shqiptarja Detina Zalli tregon se në këtë periudhë pandemie është e rëndësishme të bëjmë durim, sepse virusi do kërkojë kohën e vet për t’u larguar, si edhe ndodhi në Kinë që u deshën tri muaj.
Në një bisedë për TvT.al, Detina Zalli, shprehet: “Marr shkas nga lajmet në Kinë, ku sot nuk kishte asnjë rast dhe shpresoj që situata do normalizohet dhe në Europë, pavarësisht që është e ditur që kjo do të marrë kohë, i mori Kinës 3 muaj”.
E pyetur se pse e konsideron të rëndësishëm realizimin e sa më shumë tamponëve, ajo bën krahasimin me Korenë e Jugut dhe Italinë duke thënë: “Koreja e Jugut ka numrin më të lartë të tamponëve, 3692 teste për 1 milion njerëz, ndërsa Italia numëron 826 teste për 1 milion njerëz. Realizimi i testeve parandalon infeksionin te njerëzit e tjerë, ndaj kryerja e sa më shumë testeve për Covid-19 është e rëndësishme”.
Ajo vë theksin në kujdesin me higjienën, larjen e duarve, kapuçëve dhe celularit veçanërisht. Në veshje rreziku është më i vogël, sipas saj, por duhet kujdes sërish. “Ky virus qëndron më gjatë në sipërfaqe të sheshta, siç është dërrasa, alumini, por edhe telefoni. Ndaj është shumë i rëndësishëm pastrimi i herëpashershëm i telefonit dhe duarve“, këshillon Zalli.
“Përdorni dezinfektues me 70% alkool. Lëreni alkoolin në sipërfaqe për 30 sekonda (por kontrolloni këshillat e prodhuesit të telefonit për t’u siguruar që nuk e prishni). Mos përdorni alkool të pastër (100%) sepse avullon shumë shpejt për këtë qëllim”. Këto këshilla sugjeron Zalli për pastrimin e telefonit si një aksesorë që mbajmë gjithmonë me vete.