Politika Fjalimi dramatik i Ramës: Askush nuk e di kur do të çlirohemi...

Fjalimi dramatik i Ramës: Askush nuk e di kur do të çlirohemi nga ky makth, vetëm Zoti

Kryeministri Edi Rama deklaroi me tone dramatike se askush nuk e di se kur do të çlirohemi nga “makthi” i koronavirusit.

“Një luftë botërore ku secili është për veten dhe Zoti mbetet për të gjithë. Ndajeni mendjen bashkë me mua se në këtë luftë jeni vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “qeveria do të bëjë gjithçka mundet, por çdo anëtar duhet të vetëdijësohet se gjithçkaja nuk përfshin shumëçka që jemi mësuar të kemi në kohën tonë të paqes”.

“Në luftë, të ardhurat gjithmonë bien, si për popullin, ashtu edhe për shtetin. Sepse shteti mbahet me taksa. Në këtë luftë, të ardhurat e shtetit do të bien në pikiatë. Duke mos e ditur se sa do të zgjasë kjo periudhë, nuk mund të jetë një plan për t’i kënaqur të gjithë sot dhe për t’i lënë me gisht në gojë nesër. Të ardhurat në buxhetin e shtetit tonë këtë muaj do të bien shumë. Po muajin tjetër sa më shumë do të bien? Ndajeni mendjen se në këtë luftë për ekzistencë jemi vetëm. Nuk jemi pas tërmetit kur riprogramuam buxhetin dhe i shtrimë dorën botës si hallexhinj duke garantuar fondet e rindërtimit. Sot, na ka hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra njerëz dhe të na shtrojë në spital mijëra të tjerë. Nuk kemi kujt t’i shtrijmë dorën pasi askush nuk e shikon hallin që na zuri, pasi bota i ka mbyllur dyert”, deklaroi Rama.

Pjesë nga fjalimi i Ramës:

“Kjo është e para luftë ku kazerma e ushtrisë është shtëpia dhe ku çdo ushtar duhet të mbyllet në shtëpi. Si ushtria amerikane dhe ajo shqiptare kanë të njëjtën forcë goditëse…. zero!

Një luftë botërore ku secili është për veten dhe Zoti mbetet për të gjithë.

Ndajeni mendjen bashkë me mua se në këtë luftë jeni vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin.

Duhet të luftojmë bashkë, sepse do të biem të gjithë të vdekur si në Bergamo dhe nuk do ketë kush të na varrosë dhe jo më kush të na qajë.

Pikërisht se jemi më të dobët se ata, vrapuam më shpejt për tu mbyllur në shtëpi, dhe do të vazhdojmë deri kur armiku i egër të shporret nga vendi ynë.

Nuk e di askush se kur do të vijë dita e çlirimit nga ky makth, por e dimë se nuk do vijë as pas dy javësh… vetëm Zoti e di se deri kur, prandaj ju dua shumë dhe ju ndjej si njerëzit e shtëpisë sime, por mos më kërkoni t’ju shes iluzione dhe se kjo do të kalojë pa vuajtje.

Shtrëngoni dhëmbët kur shpirti ju vjen për të dalë. Dhe ndajeni mendjen se kjo luftë s’ka ardhur për ti dhënë leje të zakonshme askujt… e di që nuk janë këto që doni të dëgjoni dhe ka nga ju që se kuptoni pse nuk duhet të dalin shëtitje me gruan apo me një shok”.