Ekonomi 7 pikat e planit financiar të Ramës për përballimin e luftës

7 pikat e planit financiar të Ramës për përballimin e luftës

Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat shpalli pikat e planit financiar për përballimin e pasojave të krijuara nga koronavirusi në vendin tonë.

Duke falenderuar të gjithë qytetarët që kanë ndjekur rregullat dhe duke kërkuar ndjesë për rregullat që ka ndërmarrë për të parandaluar këtë virus, Rama tha se e gjithë bota dhe shtetet më të zhvilluara u kapën të papërgatitur.

Kreu i qeverisë, në një fjalim të fortë, ka paraqitur 7 pikat e planit financiar duke theksuar se do të nisë nga ndihma për më të dobëtit:

Plani ka këto 7 pika:

-25 milionë dollarë do të vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë

-10 miliardë lekë për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve

-6.5 miliardë lekë për shtresat në nevojë dhe biznesin e vogël

-2 miliardë lekë për operacionin humanitar

-1 miliard lekë për çdo urgjencë të paparashikuar

-Do të fshihen kamatëvonesat për familjet dhe bizneset

-Do të riskedulojmë tatim-fitimin për të gjithë biznesin

Po ashtu Rama ka njoftuar se pagat e këshillit të ministrave, kabinetit qeveritarë dhe deputetëve do të përgjysmohen. Rama ka shprehur falënderime drejtuar kreut të shtetit Ilir Meta kur tha se edhe a është angazhuar dhe po bën aq sa ka mundësi.

“Nëse lufta do të zgjasë dhe do na duhet të kalojmë në planin B, sepse të parët ata me halle nuk do t’i lëmë vetëm, ndërsa të dytët nuk duhet të ankohen, por duhet të bëjmë luftën e tyre si gjithë të tjerët. Unë doja që qysh në planin A të heqim të gjithë nga vetja, duke filluar qysh nga biznesi i madh, apo ata që kanë një pagë të lartë në sektorin publik, por më bindën se ky do të perceptohej si një mesazh i gabuar dhe të hynte nga ato gojët pa perimetër të ekraneve televizive, nga ku do të dilte se shteti nuk ka para për të paguar paga dhe pensioni, prandaj hëpërhë nuk do të prekim asnjë pagë përveç atyre të deputetëve dhe ministrave, që do të marrin vetëm gjysmën e rrogës deri në mbarim të luftës. Ndërsa presidentit nuk do ia përgjysmojmë, dhe haka e do që ta falënderoj publikisht sepse qysh kur kemi hyrë në këtë luftë po ndihmon si mundet dhe sa mundet”, tha Rama.