Qyteti kinez në qendër të pandemisë së koronavirusit njoftoi sot se për herë të parë nuk ka patur asnjë rast të ri që të mërkurën.
Qyteti Wuhan ka qenë për rreth dy muaj në izolim, pasi autoritetet u përpoqën të ndalonin përhapjen e virusit, dhe javët e fundit numri i të infektuarve të rinj atje u zvogëlua.
Megjithatë, zyrtarët kinezë të shëndetësisë raportuan 34 raste gjithsej të enjten nga radhët e njerëzve që vinin nga zona të tjera. Ekziston tashmë shqetësimi i vazhdueshëm për raste të tilla të importuara që kërcënojnë përparimin që ka bërë vendi.
Kina ka qenë më e goditura nga koronavirusi që kur ai u shfaq në fund të dhjetorit, me rreth 81 mijë raste totale dhe 3200 vdekje. Shumica e njerëzve që u sëmurën, tashmë e kanë marrë veten.
Koreja e Jugut raportoi 152 raste të reja të enjten, një hap prapa nga përparimi i saj i deritanishëm, kur raportoi më pak se 100 raste të reja në ditë për katër ditë me radhë.
Virusi ka prekur tashmë 166 vende, me më shumë se 208 mijë raste të konfirmuara dhe 8600 vdekje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Zyrtarët e shëndetësisë të Gjermanisë raportuan të enjten një rritje prej 2800 rastesh në një ditë të vetme, duke e çuar numrin total në vend në 11 mijë, një nga më të lartët në botë.
Lothar Weiler, kreu i Institutit Robert Koch të qeverisë gjermane, tha të mërkurën se në total mund të infektohen rreth 10 milionë gjermanë, por se numri mund të zvogëlohet ndjeshëm nëse njerëzit zvogëlojnë ndërveprimet sociale.
Vende të tjera kanë ndjekur modelin e reagimit të Italisë, Kinës dhe Spanjës, duke u përpjekur t’ua ndalojnë njerëzve aktivitetin e zakonshëm dhe përhapjen e virusit në komunitetet e tyre, ose në pjesë të tjera të vendit të tyre.
Panamaja njoftoi të mërkurën një shtetrrethim të ri mbarëkombëtar nga ora 9 e darkës deri në 5 të mëngjesit, duke lejuar gjatë këtij orari vetëm qarkullimin e policëve, zjarrfikësve, punonjësve të sistemit shëndetësor dhe punonjësve të ujësjellës-kanalizimeve. Vendi ka raportuar 109 raste deri më tani.
Zelanda e Re njoftoi të enjten se po ndalon hyrjen për të huajt, menjëherë pasi qeveria këshilloi qytetarët të mos udhëtojnë jashtë shtetit për shkak të rrezikut të marrjes së koronavirusit.
“Ne nuk do të tolerojmë rrezikun në kufijtë tanë,” tha Kryeministrja Jacinda Ardern në një konferencë shtypi.
Qeveria tha se kishte identifikuar tetë raste të reja, ndër ta edhe persona që kishin udhëtuar jashtë shtetit. Numri i përgjithshëm i rasteve ishte 28.
Gjithashtu, Australia fqinje tha se do të ndalojë hyrjen për personat që nuk janë shtetas apo rezidentë të përhershëm, duke filluar nga e premtja. Kryeministri Scott Morrison tha se “një pjesë dërrmuese” e 500 rasteve të konfirmuara të Australisë janë importuar nga vende të tjera.
Meksika, e cila ka konfirmuar 118 raste, raportoi vdekjen e saj të parë të enjten herët. Disa orë më vonë, Rusia tha se një grua 78-vjeçare që rezultoi pozitive për virusin vdiq, e para vdekje edhe për këtë vend.
Nikaragua dhe El Salvadori fqinj njoftuan të mërkurën vonë se ata kishin konfirmuar rastet e tyre të para të koronavirusit.