Një shqiptar në Itali, i cili ndodhet në zonën më të nxehtë të pandemisë në Bergamo tregon se qytetarët atje ende nuk i binden rregullave të izolimit. Mondi Bylyku prej vitesh jeton në Bergamo dhe kjo mund të quhet si periudha më e vështirë për të. Edhe pse Italia numëron sot mbi 4000 viktima Bylyku në një intervistë për TvT tregon se sërish ka shumë njerëz që lëvizin sikur asgjë s’po ndodh.
Sa persona jeni në familje dhe si po i kaloni këto ditë ?
Në shtëpi të izoluar, dalim vetëm kur na duhen ushqime. Është shumë e vështirë, por duhet të bëjmë durim. Ne në familje jemi 3 persona, gruaja dhe goca vogël. Tani për momentin të qetë, po me situatën që po kalon vendi po na kap stresi me thënë të drejtën, duke marrë parasysh që nuk po vjen në ulje numri i të vdekurve, po përkundrazi po rritet shumë e më shumë, dhe ndonjëherë rri mendoj a kam takuar ndonjë nga të infektuarit në ditët e punës, jemi bërë me fiksime.
Ju jetoni në zonën më të nxehtë, në Bergamo. Menduat për një moment të ktheheshit në Shqipëri para se të mbylleshin kufijtë?
Nuk e mendova sepse nuk doja të bëja lëvizje të gabuar dhe për më tepër menduam se nuk do merrte këto përmasa situata.
A keni informacion të ketë shqiptarë të infektuar në zonën ku ti jeton?
Në lagjen që unë rri tani për tani nuk kam dëgjuar, por ka qenë vetëm një shqiptar i infektuar dhe mesa di e kanë izoluar në shtëpi. Tani mesa di është mirë, pasi ka bërë dhe testin e dytë dhe ka rezultuar negativ.
Pse mendon se shkoi gjendja deri në këtë pikë?
Nuk ju binden rregullova. Kjo situatë u krijua sepse shumë e nënvlerësuan dhe mendonin që s’kam takuar shumë kinez (shaka kjo) dhe pavarësisht thirrjeve të komunës italianët dalin shumë, sepse kanë shumë kafshë në shtëpi, pjesa më e madhe e tyre mbajnë qen në shtëpi dhe nuk hoqën dorë kurrë për t’i shëtitur. Shpesh irritohem kur dal në dritare dhe shikoj të rinj e të moshuar që vazhdojnë të dalin. Duan të shëtisin kafshët shtëpiake, të bëjnë vrap, nuk e di pse nuk e marrin më seriozisht. Pamjet me kamionët e ushtrisë që transportonin kufomat ishin vërtet rrënqethëse, por sërish nuk izolohen.
Po shqiptarët që jetojnë aty, keni folur?
Po kam folur në telefon, janë të izoluar. Mendoj se jemi pak më të bindur në respektimin e rregullave.
Problem në këtë periudhë është dhe pjesa ekonomike, ju keni mundësi ta përballoni këtë periudhë që nuk dihet sa do vazhdojë?
Personalisht kam mundësi ekonomike, sepse kam kursyer pak, por gjithsesi këtu edhe shteti të rimburson deri diku, si për shembull në ndalesën e kredisë së shtëpisë.
Keni ndonjë këshillë për shqiptarët në Shqipëri?
Ju lutem ndiqni rregullat, mos i nënvlerësoni. Shqipëria nuk ka mundësi të përballojë një situatë të tillë, ndaj tregoni kujdes në menaxhimin e situatës dhe izolohuni sa më shumë./TvT.al/