Kryesore “Ndihem sikur më mungon ajri!” Flet studentja shqiptare në Spanjë e infektuar...

“Ndihem sikur më mungon ajri!” Flet studentja shqiptare në Spanjë e infektuar me koronavirus

Një studente shqiptare që jeton në Spanjë është prekur nga Covid-19 dhe është izoluar që prej datës 8 mars, pas një parade për Ditën e Gruas.

Laura Bixhi ka folur për gjendjen e saj në emisionin “Vizioni i Pasdites”, ku ka treguar mbi simptomat e saj, si dhe si po e përjeton këtë periudhë të vështirë të jetës së saj, që i duket sikur i mungon ajri.

Gjithçka nisi me temperaturën, më pas me kollën e thatë dhe marrje mendsh dhe Laura telefoni menjëherë urgjencën.

“Unë kam që pas datës 8 mars që e kam marrë koronavirusin pasi kam qenë pjesë e një parade për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Pata problem me shëndetin dhe u vetëizolova. Më filloi temperaturë jo e lartë, 37.5, kollë e thatë, marrje mendsh, dhimbje koke. U shqetësova dhe mora urgjencën në telefon. Unë jetoj vetëm dhe urgjenca më tha të rri e izoluar”, u shpreh ajo.

Studentja tha se daljet janë shumë të pakta dhe se nuk ka orare për të dalë, përveçse për nevoja bazike.

Ajo shprehet se nuk gjen as doreza as maska në farmaci, por përdor prej pambuku dhe më pas i lan.

“Daljet janë shumë të pakta. Unë duhet të ushqehem, të dal në farmaci. Nuk ka doreza dhe maska. Përdor doreza pambuku të cilat i laj. Daljet duhet të jenë sa më të pakta. Ndonjëherë ndihem sikur më mungon ajri, kjo vjen si pasojë e panikut. Në Spanjë nuk ka orare për të dalë. Shkojmë në farmaci, supermarket, bankë, si dhe për të rimbushur telefonin. Për makinat janë marrë masat dhe për këmbësorët do të merren masat. Testi nuk kryet më në Spanjë, por nëse ke simptoma të marrin në urgjencë”, ka përfunduar Laura Bixhi.