Bota Azia mposht koronavirusin, drejt normalitetit situata në Kinë dhe në Korenë e...

Azia mposht koronavirusin, drejt normalitetit situata në Kinë dhe në Korenë e Jugut

Azia ka vendosur nën kontroll përhapjen e pandemisë së koronavirusit. Koreja e Jugut ka raportuar numrin më të ulët të rasteve të reja, që prej kohës kur shkalla e infeksionit arriti kulmin para katër javësh.

Qeveria e Seulit konfirmoi 64 të infektuar me Covid-19 në 24 orët e fundit, duke çuar bilancin total në rreth 9 mijë të prekur dhe mbi 100 viktima. Megjithatë, zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë se ende nuk është koha për të shpallur fitore dhe theksojnë se vendi do të përballet me një luftë të gjatë kundër infeksionit.

Koreja e Jugut ka arritur ta vendosë nën kontroll këtë pandemi duke testuar rreth 20 mijë persona në ditë për koronavirus. Ky shtet ka përballuar, deri më tani, dy valë të përhapjes së Covid-19 dhe i druhet një të trete pasi pjesa më e madhe e të infektuarve po vijnë nga jashtë.

Kina është një tjetër shtet i Azisë që ka vënën nën kontroll pandeminë. Autoritetet raportuan 39 raste të reja me Covid-19, të gjithë të infektuarit vinin nga jashtë vendit. Përballë përmirësimit të ndjeshëm të gjendjes, qytetarët po i rikthehen normalitetit. “Mendoj se situata është nën kontroll. Shumica e rasteve të reja, vijnë nga jashtë. Duket se nuk ka përhapje të virusit brenda Kinës. Mendoj se jemi të sigurt”, u shpreh një qytetar në Kinë.