Studiuesit kanadezë filluan sot një studim për të testuar efektet e një ilaçi antinflamator, kolkisinës, mbi rreziqet e ndërlikimeve pulmonare dhe vdekjes të lidhur me COVID-19, njoftoi instituti i kërkimit.
Shumë njerëz të infektuar me koronavirus kanë ndërlikime të rënda të frymëmarrjes për shkak të një fenomeni imunitar të quajtur “stuhi inflamatore”.
“Studiuesit, pra, hipotezojnë se trajtimi mund të zvogëlojë ndërlikimet e lidhura me COVID-19, një sëmundje e shkaktuar nga koronavirusi”, shpjegoi qendra kërkimore e Institutit të Kardiologjisë Montreal, në një njoftim për shtyp, i botuar në faqen e saj të internetit.
Studimi është financuar në mënyrë të veçantë nga qeveria e Kebekut dhe drejtohet nga Jean-Claude Tardif, drejtor i qendrës.
Tardif tha për kanalin publik Radio Canada se shpreson të ketë rezultatet e këtij studimi, i cili u frymëzua nga rezistenca e fëmijëve ndaj sëmundjes, brenda tre muajve.
Rreth 6,000 pjesëmarrës do të ndiqen gjatë një periudhe 30-ditore.
Kriteret janë të ndryshme, si për shembull, personat pjesëmarrës duhet të jenë të diagnostikuar pozitivisht për koronavirus, të jenë mbi 40 vjeç ose që nuk janë shtruar në spital.
Deri tani, Kanadaja ka regjistruar më shumë se 1 430 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 20 vdekje.