“I vetmi fakt i sigurt është numri i vdekjeve dhe nga këtu duhet të nisemi të kuptojmë se sa është numri i personave të infektuar”.
Kështu shprehet virologu italian, Andrea Crisanti, në një intervistë për “Corriere della Sera”, teksa komenton situatën nga koronavirusi në Itali, duke e krahasuar atë edhe me Kinën, nga ku shpërtheu edhe Covid-19. “Për fat të keq, numrat e saktë të personave të prekur janë shumë herë më të lartë. Më në fund, kjo është kuptuar edhe në Lombardi. Nuk arrij ta kuptoj se si një urgjencë e kësaj madhësie është nënvlerësuar. Mendoj se në Lombardi janë të paktën 250 mijë të prekur me koronavirus, nga të cilët, 100 mijë asimptomatikë. Në të gjithë Italinë mund të jenë mbi 450 mijë të infektuar”, shprehet virologu.
Është folur shumë se virusi është më agresiv në Lombardi se në Veneto apo në Kinë. Crisanti pati edhe për këtë një koment mjaft interesant.
“Nuk ka asnjë provë që virusi në Lombardi është i ndryshëm nga ai në Veneto. Nuk duhet të bëjmë shaka tani. Prandaj, ne duhet të arsyetojmë në ato përqindje. Fakti që shkalla e vdekshmërisë në Veneto është 3.4% dhe në Lombardi mbi 13% është e lidhur me numrin e testimeve”, u shpreh virologu.
Deri tani, në Itali janë konfirmuar 69 mijë të prekur me koronavirus, nga të cilët kanë humbur jetën 6820 persona.