Një bisedë e orëve të vona të së hënës mes presidentëve Trump dhe Erdogan, ka ulur tensionet e rishpërthyera mes dy vendeve, të cilat patën si kulm një përbetim nervoz të kreut të Shtëpisë së Bardhë për ta goditur ekonomimisht Turqinë. Shkak mbetet veriu i Sirisë, aty ku Ankaraja ka shënjestruar grupimet ushtarake kurde të cilat i konsiderohen si terroriste, por që kanë për mbrojtës forcat amerikane.
Burime nga zyra e Presidentit turk, thanë se Erdogan shprehu kënaqësinë me vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga Siria, duke shtuar se Turqia është e gatshme që ti sigurojë Uashingtonit çdo lloj mbështetje në këtë drejtim.
Të dy udhëheqësit kanë bërë të ditur se është e rëndësishme që të ketë një udhërrëfyes për veriun e Sirisë, ku veçon Manbij, për të shmangur një krizë të autoritetit në rajon, duke gjykuar se nuk duhet t’u jepet disa faktorëve që duan parandalimin e zbatimit të vendimit për t’u tërhequr nga Siria.
Gjatë bisedimeve të Erdogan-Trump, u diskutua gjithashtu për ngritjen e një zone të sigurt e të pastruar nga elementë luftarake në Siri veriore, duke respektuar integritetin territorial të atij vendi.
Erdogan i tha Trump se Turqia nuk ka probleme me kurdët dhe se synon të luftojë grupet luftarake, ISIL, PKK dhe PKK të zgjeruar në Siri, të cilat kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendit të tij.
E në finale, të dy presidentët ranë dakord se është e nevojshme që marrëdhëniet ekonomike të të dy vendeve të rriten në një nivel edhe më të lartë.