Pak ditë para dorëzimit apo arrestimit të tij, siç e cilësoi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Klement Balili fshihej në zonën e “Astirit” në Yzberisht, Tiranë.
Burime nga gazeta “Shqip” bëjnë të ditura se “Eskobari i Ballkanit”, ka qëndruar në kryeqytet para se të kapej nga Policia e Shtetit. Aktualisht Balili ndodhet në ambientet e komisariatit nr.6 në Tiranë, ku pritet të merret në pyetje nga prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Lajmin e dorëzimit të tij, e ka dhënë i pari ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa ministri i Brendshëm Lleshaj, tha se arrestimi i tij “është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. E gatshme dhe e aftë për të kaluar në një fazë të re dhe vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe në aftësinë e saj goditëse”, u shpreh ministri.