Gjobiten 281 persona, policia kontrolle edhe në banesat e personave të vetëkarantinuar
Në zbatim të masave të qeverisë për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, Policia e Shtetit ka gjobitur me 10.000 lekë, 281 persona.
Policia thotë se këta persona kishin dalë pa ndonjë arsye për të lëvizur gjatë paradites dhe kanë kundërshtuar urdhrin e punonjësit të Policisë për të hyrë në banesë.
Po ashtu gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë evidentuar 18 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
“Është ndëshkuar me masë administrative 700 000 lekë, 1 shtetas, pasi është kthyer nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe nuk është gjetur në ambientet e banesës së tij, gjatë kontrollit të bërë nga punonjësit e Policisë”, thotë policia.
Policia thotë se në të gjithë vendin kanë vijuar çdo ditë kontrollet në banesat e shtetasve të vetëkarantinuar dhe vetëm gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar 302 shtetas.
Ndërsa në të gjithë vendin janë konstatuar 7 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative.
“Policia apelon për qytetarët se edhe në ditët në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi”, thuhet në njoftim.
Për të bërë pazar në qendrat urbane, policia thotë se një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania ose në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.