Në një lidhje live me Ilva Now në Euronews Albania epidemiologu Artan Simaku u shpreh optimist se me masat e marra në Shqipëri të cilat siç tha ishin në kohën e duhur, pandemia do të kalojë shpejt, ndërsa shtoi se kujdesi dhe distancimi fizik duhet të vijojnë si e vetmja armë që kemi në dorë kundër virusit.
Epidemiologu theksoi faktin se gjëja më e rëndësishme është gjurmimi i kontakteve dhe duke marrë masa për izolimin që shmangin përhapjen. Sipas tij, ky proces në Shqipëri është kryer dhe po kryhet në mënyrë të suksesshme, teksa niveli i gjurmimeve shkon nga 80-90 për qind.
Ai theksoi faktin se COVID-19 ende nuk e ka arritur pikun në vendin tonë, çka pritet të ndodhë përafërsisht për 2 javë, ku mund të vihet re një rritje e lehtë e rasteve, por u shpreh optimist me këtë trend në vendin tonë virusi pritet të zbehet nga mesi ose fundi i prillit.
“Parashikimet tona janë shumë optimiste. Për karantimin do të vendoset javë pas jave. Por sëmundja është në shifra të qëndrueshme, të pritshme. Nga mesi ose fundi i prillit mund të fillojë një trend në rënie. Distancimi fizik është i nevojshëm, pasi është masa e vetme parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje duke qenë se nuk vaksinë as mjekim”, tha epidemiologu.