Drita në fund të tunelit nis të ndriçojë më fort. Nuk është ende afër, por është e dukshme. Ekspertët italianë thonë se në pak javë në Itali nuk do të ketë më të infektuar nga koronavirusi.
Kështu, sipas tyre, pandemia do të marrë fund mes 5 dhe 16 Majit. Në disa rajone ku ka më pak të prekur, edhe më shpejt akoma.
Përfundimet vijnë nga analizimi i të dhënave të deritanishme nga Instituti Enaudi për Ekonomi e Financë, një qendër studimore e financuar nga Banka Qendrore Italiane. Kurba ka nisur të bjerë, edhe pse jo menjëherë.
Pulja, Trentino apo Bazilikata, mendohet se nuk do të kenë asnjë të prekur prej 8 Prillit.
Megjithatë, jeta nuk do të jetë më si më parë. Mjekët specialistë thonë se edhe pasi kufizimet e lëvizjes të hiqen, njerëzit do të duhet të mbajnë distancën dhe të përdorin maska në vendet publike, derisa të jetë gjetur ilaçi apo vaksina kundër COVID-19.