Pas dështimit të dy Këshillave të Emërimeve në Drejtësi të mëparshëm, KED i zgjedhur si i përkohshëm në dhjetor të vitit që shkoi, zhvilloi të martën mbledhjen e parë, ndërsa caktoi zhvillimin e një mbledhje të dytë për të miratuar rregulloren e funksionimit të tij të hënën e ardhshme.
Në një njoftim për mediat KED bëri me dije se “menjëherë duhet të angazhohet për të përmbushur të gjitha kompetencat dhe detyrimet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji”, ndërsa kërkoi lehtësim nga puna e përditshme të anëtarëve të saj prej Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të mundësuar funksionim sa më të shpejtë. Po ashtu KED do i kërkojë Gjykatës së Lartë më shumë administratë ndihmëse.
I mbetur me 7 anëtarë, pas shkarkimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, KED e re duhet të bëjë vlerësimin dhe rendisë 40 kandidatë për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit pas largimit të Dedjas është vetëm me një anëtarë nga 9 që duhej të kishte.
Në njoftimin për shtyp KED e cilësoi këtë si domosdoshmëri. “Akoma më tej, KED vlerësoi se angazhimi i menjëhershëm për të përmbushur këto detyrime kushtetuese dhe ligjore, përbën domosdoshmëri që të realizohen në afatet më të shpejta dhe të arsyeshme, në kushtet kur Shqipëria nuk e ka funksionale Gjykatën e saj Kushtetuese dhe ende nuk ka të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, e për rrjedhojë edhe institucionin e këtij Inspektorati”.
KED i Përkohshëm, u zgjodh nga Kuvendi pas refuzimit të Presidentit me një procedurë shortimi edhe pse në një pjesë të mirë të rasteve kandidatët ishin të vetëm përshkak të numrit të kufizuar të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë dhe numrit të prokurorëve që plotësonin kriteret. Opozita kundërshtoi ngritjen e tij dhe deputeti i PD Oerd Bylykbashi i pranishëm në seancë e cilësoi si “shkelje të Kushtetutës”.
KED e Përkohshme kryesohet nga Ardian Dvorani, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë ndërsa anëtarë janë Vitore Tusha, Arta Marku, Fatri Islamaj, Margarita Buhali, Fatjona Memçaj, Eriol Roshi. Anëtar zëvendësues janë zgjedhur Medi Bici, Gurali Brahimllari dhe Klodiana Veizi (Mema).
Nga 7 anëtarët 4 e kanë kaluar procesin e vetingut, po ashtu edhe një prej zëvendësuesve, ndërsa 3 anëtarë dhe dy zëvendësues duhet t’i nënshtrohen këtij procesi me përparësi pas përzgjedhjes në KED. Dy herët e para KED ka dështuar të kryej funksionin. KED i zgjedhur në vitin 2017 nuk arriti të mblidhej, ndërsa ai i zgjedhur për vitin 2018 u mblodh vetëm një herë, por nuk arrtiti të miratonte as rregulloren për funksionimin e brendshëm. Një pjesë e mirë e anëtarëve u rrëzuan ndërkohë në procesin e vetingut.