Kryesore Shërohet nga koronavirusi mjeku Dhimitër Kraja

Shërohet nga koronavirusi mjeku Dhimitër Kraja

Doktori Dhimitër Kraja ka lënë spitalin Infektiv. Lajmin e mirë e ka dhënë ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ajo thotë se Kraja është mes personave që janë shëruar nga Covid-19 në vendin tonë.

Mjeku Dhimitër Kraja, i cili u rikthye edhe një herë në sistemin e shëndetësisë për të ndihmuar kolegët e tij për të përballuar luftën me koronavirusin, u infektua disa ditë më parë nga koronavirusi.

Pas daljes së tij nga spitali reaguan Kryeministri Rama e Presidenti Meta.

“Sapo ka dalë i shëruar Prof. Dhimitër Kraja, i cili si pensionist iu përgjigj i pari apelit për t’u angazhuar në vijën e zjarrit, ku u plagos nga armiku… Jetë të gjatë profesor”, shkruante Rama.

Edhe Meta e konsideron këtë lajm si shumë pozitiv. Ai theksoi edhe një herë rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor.

“Shërimi i Profesor Dhimitër Krajës është një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve! Duke ju uruar shërim të shpejtë edhe të gjithë të prekurve nga pandemia COVID-19, theksoj edhe njëherë rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”, shkruante Meta në Facebook.