Pandemia globale e COVID-19 ka goditur shumë vende të botës duke lënë pas mijëra të vdekur. Bluzat e bardha janë ato që duhet të përballen çdo ditë në vijën e parë, duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar jetën e njerëzve, të cilët janë të prekur nga ky virus vdekjeprurës.
Mesazhi i një infermiereje nga Britania e Madhe i ka përlotur të gjithë. Ajo tregon sfidën heroike që bëjnë mjekët për të mposhtur virusin, prej të cilit shumë sisteme shëndetësore kanë përfunduar pothuajse në kolaps për shkak të rritjes së fluksit të të infektuarve.
“Po qëndrojmë larg familjeve tona. Po vendosim veten në rrezik në përpjekje për të shpëtuar të afërmit e njerëzve. Duket si një betejë e humbur, por nuk është e tillë”, rrëfen infermierja Shirley Watss.
Me lot në sy, infermierja tregon betejën dhe sfidën e vështirë të mjekëve. Sipas saj, pavarësisht gjendjes së vështirë, mjekët po bëjnë të pamundurën për të mposhtur “armikun e padukshëm” të COVID-19.
“Ne po mbytemi ngadalë, por pavarësisht kësaj po ngrihemi përsëri dhe po mundohemi të bëjmë më të mirën”, tha z. Watss.
Me shenja që i ka lënë maska në fytyrë dhe me zërin që i dridhet, infermierja fton qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbrojnë shëndetin e tyre dhe të mjekëve në tërësi.
“Nëse dëgjoni dikë që thotë se nuk është ndonjë gjë e madhe, unë dua që t’i thoni se duhet të qëndrojë në shtëpi dhe të ndihmojë në mbrojtjen e stafit mjekësor, sepse ne po mundohemi për momentin të bëjmë gjithçka që duhet bërë”, theksoi Shirley.