Mes thirrjeve të vazhdueshme për distancim shoqëror për të parandaluar pandeminë e koronavirusit, të krishterët gjithashtu janë nxitur ta ndjekin të dielën e Pashkës nga shtëpitë e tyre nëpërmjet internetit. Por një prift në qytezën e Achern në Gjermani, ka gjetur një mënyrë për t’i pasur ata prezentë gjatë meshës.
Joachim Giesler, një prift në Gjermani, u kërkoi të gjithë besimtarëve, të cilët e ndiqnin rregullisht meshën në kishën e tij, t’i dërgonin foto të familjes dhe vetes së tyre.
Ai mblodhi rreth 150 foto si të familjeve po ashtu edhe të besimtarëve individualisht, i printoi ato dhe i ngjiti në karriget e kishësh. Në këtë mënyrë, ai mund ta vazhdonte meshën në mënyrë normale dhe ata mund ta ndiqnin nga shtëpitë e tyre.
Prifti numëroi rreth 1,000 persona në total dhe tha se në jetën reale nuk kishte pasur asnjëherë aq shumë të pranishëm në kishë.
Familja Bohnert e ndjek rregullisht meshën, së bashku me fëmijët e tyre të vegjël. Ata zotërojnë një vreshtari në këtë zonë, dhe kanë vendosur një televizor me anë të cilit do të mund ta ndjekin meshën të gjithë bashkë.
Familja Bohnert shprehet se ndihen të qetë që mund t’i shikojnë besimtarët e tjerë nëpërmjet internetit.
Zhvendosja në meshat digjitale ka ndikuar në shumë komunitete, duke detyruar xhamitë, kishat, sinagogat dhe tempujt budistë të hartojnë plane emergjente.
Pashka është një nga festat më domethënëse krishtere. Në fundjavën e Pashkës kujtohet “Darka e Fundit”, Kryqëzimi i Krishtit dhe Ringjallja e tij.