Nga Raimonda Moisiu
Këtë esse ia kushtoj hallës sime të shtrenjtë Fildes, për dashurinë, dhembshurinë, urtësinë, mençurinë dhe mbështetjen pafund, që më fali gjithçka të bukur dhe fisnike në jetën time. Do të dua gjithmonë, nuk të harroj kurrë, e shtrenjta Halla ime!
******
Kohët ndryshojnë, por kujtimet nuk ndryshojnë. Ka momente që lenë gjurmë në fëmijërinë dhe jetën tonë, model i “imponuar” frymëzues dhe motivues i përhershme në ekzistencën tonë. Sepse gjithçka që ne dëshirojmë në jetë është; paqe, shpresë, dashuri dhe liri. Në krijojmë lidhjet tona shpirtërore në jetën e përditshme, ku liria e dashuria janë thelbi i ekzistencës në epilogun e trishtë e të lumtur të jetës. Qysh kurse erdha ndër mend e mija, halla ime u shfaq tek unë një grua e fortë, e qetë, punëtore, e kujdesshme dhe e sjellshme, e bukur, e mirë dhe tejet e dashur, që vlerësonte dhe donte jashtëzakonisht familjen e saj, dy vëllezërit me familjet e tyre dhe gjithë’ të afërmit që e rrethonin. Kurrë nuk na mungoi mirësia dhe dashuria e hallës, më bënte kaq të lumtur dhe të dlirë, sa shpesh ndjehesha lozonjarja dhe e përkëdhelura, mbesa më me fat në botë, që ekzistonte një hallë si ajo në jetën time, hallë e bukur fizikisht e shpirtërisht në çdo detaj e dimension njerëzor.
Zoti, Babai dhe Nëna! Xhaxhai dhe Daja! Halla dhe Tezja!
Janë sinonime të rrënjëve tona të gjithëfuqishme dhe krejt njerëzore të shndërruara në mish e gjak. Packa se ajo ishte halla ime, ajo gjithashtu ishte edhe halla më e preferuar, shëmbëlltyra e mirësisë dhe e dashurisë e fëmijëve të mi, të cilët e donin dhe i donte aq shumë.
Paraditen e datës së 17 Mars-it, 2020-ë, një telefonatë e vajzës sime, e cila mes ngashërimit më dha lajmin e trishtë: “Hallo Fildesi na la!” Në çast lotët më mbytën dhe dhimbja më mbështolli të gjithën.
Ah, lotët! Ato janë radiografia e shpirtit dhe ekzistojnë për disa arsye. Sepse edhe vetë jeta është e tillë që të mbështjell me dhimbjen e dashurinë, nga ku e kanë edhe origjinën lotët. Lotët janë perlat që qetësojnë e pastrojnë shpirtin. Mbas ikjes të xhaxhait dhe atit tim të shtrenjtë e të shenjtë, “loti” më kishte mbetur; vetëm halla ime e dashur. Për vite me rradhë ajo ishte për mua; hallë, baba, dhe xhaxha! Sepse me ikjen e atij brezi, ikën edhe pjesa e rrënjëve dhe ekzistencës sonë, dhe në ndjejmë boshllëkun që na lenë në shpirt e zemër. Ai loti i trishtimit, sepse e di se sa do të më mungojë. Lotët e gëzimit, që më kujtojnë buzëqeshjen e saj sikur ishte buzëqeshja ime, dhe e qeshura e hallës sikur të ishte e qeshura babaxhane e atit tim, që dëgjohet ende tek unë, sinfoni dhe melodi që qetësojnë shpirtin dhe dhimbjet tona. Kam kaq shumë kujtime e mbresa të mrekullueshme ndër vite, saqë unë i dua dhe i ruaj ende të bukura e të gjalla ashtu sikundër i kam përjetuar. Në këto pak javë të ikjes së hallës, unë akoma jetoj me kujtimet ndër vite. Gjithcka e bukur, e lumtur dhe e trishtë që kemi ndarë në jetë vijnë në përfytyrimin tim si një film pa tinguj.
*****
Pas në kohë….
Rrënjët e origjinës të babait dhe hallës sime janë nga Kamenica e Korçës. Një fshat thuajse ka zbritur nga parajsa në një natë me hënë, e njohur edhe si Tuma e Kamenicës, vendbanim prehistorik dhe monument i trashëgimisë kulturore. Kamenica ka burra të gjatë, të pashëm, të fortë e të fuqishëm, babaxhanë dhe punëtorë që mbajnë bahçen dhe oborrin e shtëpisë sa më të pastër, me sa më shumë të mbjella dhe lule të bukura, janë pasionantë të muzikës, dhe ia marrin këngës jo vetëm në gëzime e dasma familjare, por edhe duke punuar bahçen apo duke bërë ndonjë punë e soditur nëpër shtëpi. Fjala “Kamenicë” do të thotë “Gur i çmuar”, që përkon me Tumën e saj.
Kamenica ka vajzat më të bukura si petalet e mollëve që borërojnë kodrat dhe fushat, lisat e gjatë shekullorë që kurorëzojnë korijet e shenjta dhe hijeshojnë varret e të parëve. Ato korije të shenjta si kurorë e gjelbër dhe plot me pemë molle, kumbulla dhe vreshta, i japin një bukuri mahnitëse fshatit Kamenicë, dhe ruajnë diku në “qënien” e tyre legjenda dhe histori të bukura dashurie dhe histori tronditëse të fateve njerëzore.
Halla ime u martua në Zharnec, zonë fushore në Myzeqe. Sa herë shkoja të vizitoja hallën, nga dëshira e malli, por edhe kurioziteti për të mësuar rreth rrënjëve e të parëve të mij, i lutesha të më tregonte aq sa ajo mbante mend. Ajo më shikonte drejt e në sy dhe më përkëdhelte flokët. Teksa më tregonte shijoja të folurën dialektore virgjërisht të Myzeqesë. Ishte diçka e mrekullueshme se si halla ime korcare 24 karat flori, kishte adaptuar vlerat më të mira, traditat, zakonet dhe atë dialektin e ëmbël myzeqar, pikërisht aty ku ishte martuar, në derën e fisit të madh dhe të dëgjuar, – Malko, fis autokton i zonës së Divjakës nga ku kanë dalë edhe burra të fismë e të mëncur. Ajo ishte shndërruar në një nuse e bukur dhe e hijshme myzeqare, e qeshur plot shend’e verë. Biles mbaj mend njëherë, së bashku me babain tim u nisëm nga Korca për te halla në Zharrnec. Deri në Divjakë udhëtuam me makina të rastit, por prej aty e deri në Zharnec disa kilometra ecëm në këmbë. Rrugës na përshëndetnin banorë e udhëtarë të ndryshëm të fshatrave, teksa kalonim. Myzeqarët që njihen për personalitetin e tyre tolerant, mjaft të sjellshëm, të zgjuar dhe mikpritës, na jepnin dhallë ose ndonjë shalqin të freskët. Në muhabet e sipër na pyesnin “nga jeni” dhe “nga vini”, dhe kur babai im u tregonte se jemi nga Korca dhe ndodhemi këtyre anëve të vizitoj motrën time, e cila është martuar në derën e Shaqir Malkos. Ata njerës aq të fismë nuk ngurronin të tregonin habinë se si një korcare ishte martuar aq larg atyre anëve. Disa prej tyre që e njihnin bashkëshortin e hallës dhe padyshim do kishin takuar edhe hallën time, nuk iu besohej që ajo të ishte korcare, sepse ajo vishej me atë veshjen karakteristike sipas traditës së zonës, qoftë në gëzime e hidhërime familjare dhe në të përditshmen njerëzore. Vecmas kur fliste atë të folurën e butë dhe të këndshëm të dialektit myzeqar, që vërtet nuk i linte vend imagjinatës për origjinën korcare të saj.
Pasi ecëm disa kilometra, më në fund arritëm në Zharrnec. Shtëpia ku halla ishte martuar ndodhej rrëzë kodrës që kishte nën këmbë pusin e fshatit, disa shtëpi të fisit Malko dhe fushën e gjerë me toka të pasura e pjellore rreth kënetës së Karavstasë, prej aty shikoje si në pëllëmbë të dorës pyllin e pishës së Divjakës, lagunën e Karavastasë dhe perëndimin më të bukur të diellit. Myzeqarët janë njerës të mëncur, ata e përqafojnë qytetërimin dhe janë gjithmonë në kërkim të së bukurës, vecmas ata janë bujq të apasionuar.
Babai dhe unë hymë në oborrin e madh i rrethuar me dhomat e shumta të ndërtuara enkas për familjen e madhe, ku endeshin poshtë e lart pula, këndezë të bukur, rosa, pata dhe gjela deti. Ishte një oborr aq i madh i zbukuruar me lule e gjelbërim rreth e qark sa mua më ngjasonte si një amfiteatër lashtësie dhe unë “princesha e hallës”, si në legjenda e përralla. Natyrë e bukur, ambient i ngrohtë, njerëz të këndshëm, të dashur dhe mikpritësa. Në mbrëmje u shtrua sofra me ushqime dhe meze të bollshme e të shijshme, rakia e rrushit 22 gradë, dhe “dollia” u ngrit me 101”, por edhe u kënduan ato këngët epiko-lirike të zonës së Myzeqesë nga mikpritësit dhe kënga popullore e Kamenicës nga mysafiri, babai im, si qefli i rakisë dhe këngës, që mbahej. Vonë, kur shkuam për të fjetur, sipas zakonit e traditës babai tim shkoi të flinte në odën e miqve, e ndërtuar dhe mobiluar me minderë enkas për mysafirët. Ndërsa unë fjeta me hallën time në dhomën e saj. Iu luta të më tregonte se si ishte njohur me bashkëshortin e saj, duke i thënë se disa njerës shprehin habinë që ti korcare je martuar në zemër të Myzeqesë.
*****
Nëna e babait, hallës dhe xhaxhait tim, pra gjyshja ime, Naile, pati qenë veçse 35 vjeçe kur u shua nga një grip i rëndë që ra atij viti në botë edhe në Shqipëri. Ajo la pas katër jetimë në moshë të njomë, tre djem dhe një vajzë fare të mitur. Xhaxhai dhe babai im, në bisedat që bëja me ta, më kanë treguar se e mbanin mend fare pak nënën e tyre, ndërsa halla nuk e mbante mend fare. E cfarë mund të kujtonte një vajzë e mitur e ngelur jetime ende pa u bërë një vit!!Pas vdekjes së nënës problemet, hallet dhe vështirësitë e jetës që ishin me tepricë, i mbetën babait të tyre, i cili punonte varrmihës dhe argat në punëra të tjera nga mëngjesi në darkë, vetëm për t’iu siguruar bukën e gojës, jetimëve që e prisnin në shtëpi. Babi më ka treguar se gjyshi Baki u martua disa muaj pas vdekjes së gjyshes, mori grua enkas që t’iu shërbente jetimëve të tij, por e la herët, sepse ajo nuk sillej mirë me ta. Për ta lëhtësuar dhe mbështetur disi atë, dajallarët, vëllezërit e nënë Nailes morën nën kujdesin e tyre, djemtë, të cilët megjithëse adoleshentë punonin si argatë apo barinj të gjësë së gjallë, në derën e të kamurve të Floqit. Kështuqë halla si më e vogla, por edhe meraku i gjyshit, mbeti vetë me babain, i cili e merrte ngado me vete. ngaqë nuk kishte se ku ta linte.
“Kur lodhesha duke ecur më hipte kaliqafë. Dhe pjesa më e dhimbëshme ishte se kur hapte varre dhe ishte ndonjë varrim, më linte disa metra larg, fshehur mbas ndonjë lisi që unë mos të shihja varrimin”, -më tregoi halla herën e fundit kur e takova.
Dhe kështu mes halleve, sakrificave dhe varfërisë ata u rritëm, teksa dy vëllezërit më të mëdhenj dolën partizanë, ndërsa halla e një vëlla tjetër jetonin ende në fshat me babanë. Disa vite mbas clirimit të vendit babai im, si partizan i dalë nga LANC-i, u mobilizua me forcat e kufirit në zonën e Kolonjës, -në postën ndërkufitare Gërmenj e Tri Urat, dhe së bashku me të shkuan të jetonin aty, gjyshi me hallën. Ndërsa njërin nga vëllezërit e thirrën ushtar dhe nuk u kthye më, u thanë që u vra aksidentalisht me armë, dhe gjyshi e varrosi në varret e vjetra në Korcë. Ndërsa xhaxhai, vëllai i madh u martua dhe jetonte me nusen e tij në Korcë. Fshati Gërmenj është një zonë ndërkufitare, shumë e bukur, ka pyllnaja të dendura me bredha e lisa të thinjur shekullorë, gështenja e lajthishta, por më shumë gjendet pisha e zezë, të cilat shtrihen andej tutje në shpatullat e malit të Gramozit, që si një vello nusërie e qëndisur me blerim arrijnë majën e Gramozit. Në ato vragmale me luginat e thella, burimet me ujin e kristaltë dhe përrenjtë e rrëmbyer, ku të freskon në verë e në dimër ë than fytyrën, era e Gramozit që fryn e fortë dhe shqiponjat, dallëndyshet dhe thëllëzat fluturojnë përreth, mishërimi i natyrës mahnitëse dhe të mrekullueshme. Halla, tashmë një vashë e bukur, e gjatë dhe e hijëshme me sy larushë, flokët e gjata, ngjyrë kafe të celët, dhe të lindura kacurrela, një perri e vërtetë si bija e hënës dhe e diellit, ndjeu aromën e dashurisë për herë të parë dhe deri në përjetësi me djaloshin myzeqar nga fisi Malko në Zharrnec, i cili bënte ushtrinë në postën ndërkufitare të Gërmenj-Shelegur, mes Greqisë e Shqipërisë. Më pas ata u martuan dhe krijuan familjen e tyre të bukur, dhe sollën në jetë fëmijët, dy vajza dhe një djalë; Shkëndija, Mirela dhe Ylli, të cilët janë martuar, dhe kanë familjet e tyre të bukura mes gëzimit të fëmijëve dhe pasardhësve të tyre.
Natyrisht, nëna e tyre dhe halla ime meriton tributin dhe vlerësimin për cilësitë rralla e vecanta që ajo rrezatonte, të cilat do të na kujtojnë kohën e bukur e të mrekullueshme që ajo nuk e kurseu dhe kaluam bashkë, teksa ndante me ne guidën e saj shpirtërore, dhe personaliteti e dinjiteti i saj si nënë e si hallë na frymëzuan gjithë jetën, të ngriheshim mbi cdo sfidë!
Ajo na trajtonte gjithësecilin prej nesh, si të ishim të preferuarit e saj.
Sa herë shkoja ta vizitoja, ajo më inkurajonte dhe më thoshte gjithmonë se ishte krenare për mua, që e vetme me tre fëmijë ia kisha dalë të rrisja e të nxirrja në dritë veten e fëmijët e mij!
“Me të vërtetë- do të më thoshte,- sikur ta dinte e gjithë bota se një nga përkrahësit numur një për ty, isha unë, packa se në heshtje-lutesha e mendoja për ty!”
Epilogu
Halla ime e shtrenjtë!
Faleminderit që gjithmonë besuat tek unë, edhe kur unë mbytesha në halle e ti më qëndroje pranë, me fshije lotët e syve e të shpirtit dhe më thoje: “Durim e Forcë, “djali” i hallës, të ka halla “djalë” të fortë! Që kurse babai dhe xhaxhai, dy vëllezërit e tu, u ndanë nga jeta, ne dy mbesave tënde; mua dhe Lolës, na thoshe shpesh: “Ju ka halla “djem” ju ka halla “vëllezër”!”
Faleminderit për ato netë e ditë që askush nuk do të m’i falte, por ti më dhe shpirt nga shpirti tënd, forcë e energji nga mendja e trupi tënd, u bërë njësh me mua dhe më mbështete me ditë, javë e muaj, të dyja u kujdesëm për vëllain tim dhe nipin tënd Conen, heroin tonë, teksa ai rënkonte në shtratin e luftës mes jetës e vdekjes!
Ti ishe aty ku ishte dhimbja, brenga, dashuria, jeta dhe mbijetesa! Ti asnjëherë nuk the që u lodha, Halla ime e bukur!
Faleminderit për mikpritjen tënde, për ato ushqimet bio-që më gatuaje kur vija te ti, në Zharrnec!
Faleminderit që më bëre pjesë të gëzimit tënd kur u martua, Shkëndija, Ylli e Mirela!
Të kujtohet sa ka kënduar babi im, vëllai tënd! Ah sa bukur kur kërcenim vallen nën ritmet e këngës së bukur myzeqare! Oh cfarë lumturie!
Ah Halla ime, tani m’u kujtua por kur isha e vogël dhe vija të vizitoja dhe kur ti shkoje të ruaje rosat e patat dhe unë vija me ty!
Ah sa këndonim të dyja! Edhe kur rrinim pranë vatrës me zjarr dhe aty ziente vorba me fasule, ndërsa ti thurje çorape me shtija, unë piqja misra!
Faleminderit që më ke përkrahur gjithmonë në çdo detaj njerëzor të jetës sime.
Faleminderit për dashurinë dhe dhembshurinë tënde të pakufi, që vetëm ti dije të falje!
Teksa po shkruaj këtë esse, lotët e dhimbjes e dashurisë enden ndër sytë e mij, edhe pse e di që ti tani je aty ku prehen ëngjëjt.
Ti je në Paqe e në Parajsë -, u ribashkove me dashurinë e jetës, bashkëshortin tënd fisnik, u ribashkove me vëllezërit e tu, Atin tim të Shtrenjtë e të Shenjtë dhe Xhaxhain e heshtur dhe zemërflori, dhe me të gjithë të afërmit e tu, që janë ndarë parakohe nga kjo jetë! Mbase tani je duke iu treguar ngjyrat e jetës dhe se sa e bukur është bota.
Do na mungosh Halla ime e Shtrenjtë derisa të takohemi përsëri!
Prehu në Paqen e Amëshuar!
Askush s’e plotëson vendin tënd!
Nga Raimonda MOISIU
Author&Freelancer
USA