Aktualitet Mjekët dhe infermierët e spitalit Lezhë: Mos përdorni emrin tonë për lojëra...

Mjekët dhe infermierët e spitalit Lezhë: Mos përdorni emrin tonë për lojëra politike

“Nuk kërkojmë shpërblim që u takon kolegëve në linjën e parë të luftës”

Personeli i Urgjencës së spitalit rajonal Lezhë deklaroi sot se “kemi qenë dhe do të jemi në gatishmëri të plotë në kryerjen e detyrës në plotësim të misionit human që kemi. Ne nuk kemi kërkuar e as kërkojmë asnjë shpërblim që u takon kolegëve tanë që janë në linjën e parë të luftës të angazhuar në përkujdesjen ndaj pacientëve në strukturat mjekësore të dedikuara COVID”.

Në një deklaratë për shtyp personeli i Urgjencës së spitalit rajonal të Lezhës theksojnë se “ne vazhdojmë të përkujdesemi me angazhim të plotë ndaj të gjithë pacientëve në nevojë dhe nuk bëhemi pjesë e asnjë loje politike ndaj çdo përpjekje për të përdorur emrin tonë nuk ka asnjë lidhje me punën, angazhimin dhe përgjegjësitë tona para pacientëve të cilat do t’i përmbushim pa asnjë hezitim”.

Kryeministri Edi Rama sqaroi ndërkaq se premtimi për të dhënë 500-1000 euro shpërblim do të jetë vetëm për mjekët dhe infermierët që janë në vijën e zjarrit dhe jo të të gjithë bluzave të bardha në spitalet në vend.

Më herët, ish-deputetja e PD-së, Lindita Metaliaj e cila tha se “infermierët dhe mjekët  në spitalin rajonal të Lezhës sot në mëngjes protestuan në sheshin para urgjencës së spitalit”.

Ajo tha se “atyre u ishin premtuar 1000 euro shtesë page, por në të vërtetë u dhanë vetëm nga 5000 lekë të reja”.