Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn i kërkoi qeverisë gjermane që të ndërpresë kontrollet kufitare me Luksemburgun dhe Francën sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Kontrollet kufitare më shqetësojnë. Nëse Shengen bie, atëherë bie edhe Evropa e qytetarëve. Shengeni është arritja më e madhe e Bashkimit Evropian”, tha Asselborn në një prononcim për mediat gjermane.
Ai theksoi se kontrollet kufitare sjellin vetëm probleme.
“Çdo ditë, njerëz nga Gjermania që ankohen për kontrollet e kufijve më shkruajnë”, tha Asselborn.
Ai tha se ishte e vështirë në qytetet kufitare që njerëzit të shkonin në punë.
“Në Luksemburg, ne mbështetemi te stafi mjekësor dhe kujdestarët nga Gjermania dhe Franca”, shpjegoi ai.
Më 16 mars, Gjermania futi kontrollin në kufijtë e saj me Austrinë, Zvicrën, Francën, Luksemburgun, Danimarkën.