Shëndet Humbja e shijes dhe nuhatjes ndodh në 90% të rasteve me koronavirus

Humbja e shijes dhe nuhatjes ndodh në 90% të rasteve me koronavirus

Ethe, lodhje dhe kollë e thatë janë simptomat më të shpeshta të koronavirusit. Dhimbje muskulore, dhimbje koke, dhimbje të fytit dhe diarre mund të jenë të tjera që janë shfaqur në jo pak raste. Por në mënyrë të veçantë janë dy simptomat që veçohen nga të tjerat: humbja e shijes dhe nuhatjes, të cilat mund të jenë të pjesshme, ose edhe të plota. Disa shoqata mjekësore franceze i kishin raportuar këto simptoma si të dukshme që më 20 mars, sipas revistës së konsumatorëve “60 Millions de Consommateurs”.

Sipas një studimi anamnezik të kryer nga specialistë të otorinolaringologjisë me mbi 400 pacientë Covid-19 në kushte jo serioze, të cilët janë trajtuar në 12 spitale evropiane, humbja e shijes dhe nuhatjes ka rezultuar e pranishme në rreth nëntë raste nga 10 të tilla. Shifra këto shumë më të larta sesa kishin përllogaritur më parë disa studiues britanikë, të cilët folën për praninë e këtyre simptomave vetëm te një e treta e të prekurve nga epidemia.

Në mënyrë të veçantë, duket se humbja totale e nuhatjes prek gratë pak më shpesh sesa burrat (92% kundrejt 82%). Në shumicën e rasteve (65%) këto shenja shfaqen së bashku me simptomat tipike të koronavirusit, por 12% e pacientëve zbuluan se kishin humbur ndjesinë e shijes dhe nuhatjen më herët dhe 20% se nuk kishin pasur ndonjë simptomë tjetër të ngjashme me ato të ftohjes ose gripit. Prandaj nuk mund të themi se bëhet fjalë për të njëjtën simptomë (humbje e shijes dhe nuhatjes) që ndodh në rastet e ftohjes, kur shkaku është hunda e bllokuar, por duket se kjo shkaktohet nga dëmtimi i nervit përgjegjës për nuhatjen. Si pasojë, humbja e shijes, e cila është më komplekse, nuk shkaktohet nga një dëmtim i drejtpërdrejtë, por është e reflektuar.

Për këtë arsye, mjekët francezë këshillojnë njerëzit që përjetojnë humbjen e papritur të shijes dhe nuhatjes të izolohen dhe të monitorojnë shfaqjen e mundshme të simptomave të tjera karakteristike të Covid-19, të tilla si ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Në gjysmën e rasteve, shija dhe nuhatja duket se kthehen mjaft shpejt pas shërimit. 44% e pacientëve u përgjigjën se ata u shëruan brenda dy javësh. Për të tjerët, kjo kohë mund të jetë më e gjatë, madje mund të shkojë deri një vit. Për të shpejtuar procesin e rimëkëmbjes së shqisave, ekspertët francezë sugjerojnë një terapi trajnimi të përdorur tashmë për nuhatjen. Metoda konsiston në nuhatjen e disa “aromave të pastra” – për shembull kafe, vanilje, trumzë, karafil, kopër dhe koriandër – pasi t’ua keni lexuar emrin, për të bërë të mundur që sistemi ndijor ta lidhë informacionin me ndjesinë në nivel cerebral.