Bota Aeroplanmbajtëset amerikane në karantinë, Kina përfiton dhe afron të vetën brigjeve të...

Aeroplanmbajtëset amerikane në karantinë, Kina përfiton dhe afron të vetën brigjeve të Tajvanit

Aeroplanmbajtësja e parë kineze, Liaoning

Në një kohë kur pandemia ka frenuar aktivitetin civil dhe ushtarak në çdo cep të planetit, Kina merr një vendim që mund të ngrejë së tepërmi nivelin e tensionit në Azi, dhe atë global Uashington-Pekin.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Tajvanit, aeroplanmbajtësja e parë kineze, Liaoning, që mund të mbajë deri në 24 avionë ushtarakë, të shtunën ka kaluar ngushticën e Miyakos, për t’ u drejtuar ishullit që Pekini gjykon ende si provincë rebele nga viti 1949.

Sipas Taiwanit, “Liaoning” ishte e shoqëruar edhe nga 5 anije të tjera ushtarake, në një nga lëvizjet ushtarake më të mëdha të kohëve të fundit.

Por si mund të ndodhte kjo?

Tajvani jo vetëm është partner i “hekurt” i Shteteve të Bashkuara, por Uashingtoni është garant i mbrojtjes së saj nga pretendimet e Pekinit.

Por në këtë rast përgjigja amerikane u pamundësua nga koronavirusi. Në fakt, aeroplanmbajtësja USS Roosevelt që zakonisht ndodhet në ato ujëra, për shkak të rasteve të COVID-19 në bord, ku rreth 600 marinarë rezultojnë pozitivë, ndodhet në bazën e ishullit të Guam. E njëjta gjë edhe për aeroplanmbajtësen USS Reagan, e cila për më tepër ndodhet në Japoni për riparime.

USS Roosevelt, e karantinuar në ishullin Guam nga koronavirusi

Faktikisht, pandemia e ardhur nga Kina ka bërë të mundur që kinezja Liaoning të jetë e vetmja aeroplanmbajtëse aktive në Paqësorin perëndimor, dhe Pekini nuk e ka humbur për asnjë moment rasti a artë për të kërcënuar sërish ishullin me kryeqytet Taipei.

Republika Popullore e Kinës dhe Tajvani nuk njohin njëra tjetrën nga viti 1949, dhe secila pretendon se përfaqëson Kinën legjitime

Forcat amerikane mundën t’iu përgjigjeshin Pekinit vetëm ditën e djeshme, me një stërvitje të disa dhjetëra avionëve, por tashmë mesazhi kinez (i Republikës Popullore, nga momenti që edhe Tajvani e quan vetën Republika e Kinës) kishte shkuar qartë deri në Shtëpinë e Bardhë, duke tensionuar ende më shumë marrëdhëniet e acaruara nga marrëdhëniet tregtare dhe çështjes së koronavirusit.