585 persona humbën jetën në 24 orët e fundit në Spanjë, shtet i cili raporton më shumë se 19 mijë viktima që prej shpërthimit të pandemisë, ose thënë ndryshe një nivel vdekshmërie në 10,5%.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, bënë me dije se rastet e reja u shtuan me 3%, me një total prej mbi 188 mijë të infektuarish. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez vazhdon të jetë në kontakt me të gjitha partitë politike për të finalizuar paktin për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë po bindet gjithnjë e më tepër që rikthimi i nxënësve në shkolla të ndodhë vetëm në shtator. Autoritetet nuk kanë marrë ende një vendim lidhur me provimet finale të semestrit të dytë shkollor.
Situata po shkon drejt përmirësimit dhe në Francë. Në qendrat e terapisë intensive në Paris, stafi mjekësor po përjeton një lehtësim të lehtë pasi shumë pacientë po shërohen me shpejtësi. Franca numëron më shumë se 147 mijë persona të prekur nga Covid-19 dhe rreth 19 mijë viktima që prej shpërthimit të pandemisë.
Gjermania vijon të mbajë nën kontroll situatën. Kancelarja Angela Merkel tha se po punohet që niveli i përhapjes së koronavirusit të ri të mbetet në jo më shumë se 1 person. Ndërsa ministri i Shëndetësisë përshëndeti vendimin e qeverisë federale për lehtësimin gradual të masave kufizuese.
“Përhapja e koronavirusit është bërë sërish e menaxhueshme. Një tjetër e dhënë pozitive është se po shërohen më shumë persona sesa po infektohen”, tha Jens Spahn, ministri i Shëndetësisë. Gjermania numëron 138 mijë të infektuar dhe 4 mijë viktima nga Covid-19.