Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehu sot mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në periudhën e pandemisë COVID-19.
“Mirënjohje Hungarisë mike dhe aleate të përhershme të shqiptarëve, për solidaritetin dhe ndihmën bujare konkrete që i dha sot vendit tonë në mbështetje të luftës kundër COVID-19, duke na dhuruar 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse mjekësore”, është shprehur presidenti Meta.
“Falenderoj ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, z.Péter Szijjártó që shprehu sot nga Tirana vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht kundër pandemisë, kësaj të keqeje të përbashkët”, ka theksuar Meta.
Për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, Hungaria siguroi në mbështetje të luftës kundër COVID-19, 100.000 maska dhe 5000 kostume mbrojtëse mjekësore, me qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në vend.